E Shtunë, 31 Tetor 2026

Precedenti i bashkimit monetar europian

28-07-2011 / Nga Ilirian Dahri

Në një klimë jo shumë të mirë ekonomike rajonale, europiane por edhe globale duket qartë që monedha euro (me krizën e Portugalisë, Irlandës, Greqisë dhe ndonjë shteti tjetër) herë pas here ndodhet në vështirësi. Shpeshherë është folur për braktisjen e euros nga ndonjë vend anëtar i Bashkimit Europian por sidoqoftë lufta për forcimin e mëtejshëm të monedhës së përbashkët nuk ka ndalur kurrë. Për vetë Bashkimin Europian rikthimi në monedhat kombëtare do të ishte falimentimi i një projekti që ka nisur që herët  me themeluesit e vetë Bashkimit Europian. Por problemet vazhdojnë sepse Europa ende nuk ka një politikë të vetën e cila shpeshherë ndërvaret nga politikat kombëtare të çdo shteti. Është e vërtetë nga ana tjetër që për krizën e disa shteteve anëtare të Bashkimit Europian janë kryer takime të shumta në nivel europian ku më të interesuarat kanë qenë Franca dhe Gjermania, të cilat kanë edhe investimet më të mëdha në shtetet e prekura nga kriza. Duket se ndodhemi përpara një hutimi të përgjithshëm me luhatje të njëpasnjëshme ekonomike. Nga ana tjetër edhe vende që ishin cilësuar si në progres të vazhdueshëm kanë ndalur disi hapin e tyre. Nuk janë vende të Bashkimit Europian si për të vërtetuar faktin se një lloj krize e papërcaktuar mirë po vërtitet anembanë globit. Është rasti i Kinës por nuk mungojnë dhe raste të tjerë. Vështirësitë e Bashkimit monetar europian kanë një precedent historik që nis me rastin e Bashkimit monetar latin, që u quajt edhe Lidhja latine. I krijuar në dhjetor të vitit 1865, tre vjet pas bashkimit monetar italian e vitit 1862, dhe që u deklarua i vdekur në vitin 1925. Bënin pjesë ato shtete që kishin ruajtur në njëfarë mënyre sistemin monetar të Napoleonit. Udhëheqëse ishte Franca, atdheu i atij sistemi, dhe më vonë do t’i bashkohej edhe Italia si trashëgimtare e Mbretërisë së Sardenjës, Belgjika dhe në fund Zvicra. Ishte një sistem monetar i bazuar në bimetalizmin mes arit dhe argjendit. Kishin si shenjë të përbashkët, frangën, e cila ishte ideuar nga teknikët e Revolucionit në fillim të shekullit. Fjala frangë ishte simbol i asaj toke, i një populli, por kishte edhe kuptimin e lirisë. Italia e cila kërkoi të mënjanohej në njëfarë mënyre nga vendet e tjera, edhe pse adoptoi frangën mbajti emrin antik të lirës, (libra). Të njëjtën gjë bëri edhe Greqia, që dy vjet më vonë adoptoi frangën por që e quajti dhrahmi. Ndoshta emri nuk ishte kaq i rëndësishëm, por i rëndësishëm ishte parimi në të cilin bazohej i gjithë sistemi, ishin pothuaj identike monedhat në qarkullim si peshë por edhe si titull. Pra e ndryshme nga monedha e përbashkët e Bashkimit monetar. Sot flitet për një bashkim monetar pjesa më e madhe ë të cilave prej letre ndërsa asokohe kishte një vlerë tregtare të metalit, i cili ishte padyshim i çmuar. Kuptohet se atëherë ishte më e thjeshtë të ndërtohej një Bashkim monetar pa asnjë bashkim politik mes shteteve anëtare sepse baza ishte e fortë dhe bazohej tek ari dhe argjendi, të cilave u shtohej një raport fiks mes tyre. Themeluesve të bashkimit do t’i mjaftonin pak rregulla. Duhet të përcaktonin copat e monedhave prej argjendi apo ari që do të prisnin, titullin dhe peshën për të adoptuar. Gjithsesi ngrihet pyetja, nëse ishte kaq e thjeshtë përsë falimentoi? Ndoshta shtete e vogla të dala prej luftës filluan të ndiheshin të emancipuar dhe këto rregulla i dukeshin të huaja dhe jo shumë të përshtatshme. Në të njëjtën kohë ndërfutet një tjetër monedhë, siç ishte rasti i dollarit amerikan dhe Liliputi monetar europian filloi të ishte i ndërvarur për një kohë të gjatë. Për një politikë të caktuar, ishte më mirë të evokohej liria, autonomia. Ndoshta ishte ky virusi që sulmoi bashkimin në bashkëpunim edhe me hendeqet mes vlerave tregtare të arit kundrejt argjendit por edhe me tensionet ndërkombëtare që u shfaqën pas luftës. Si rrjedhojë, Italia, Greqia dhe Belgjika adoptuan shpeshherë kartmonedha të cilat nuk konvertoheshin në metal për nevojat e thesarit, duke ngritur bazën monetare të tyre, dhe si rrjedhojë të gjithë bashkimit. Nga ana tjetër Zvicra, filloi të mos priste monedha prej argjendi për të tërhequr në kufijtë e saj argjendin e shteteve të  tjera. Të gjitha këto manovra çoroditën shtetet në vend që të kishin një bashkim politik për problemin e krijuar. Lufta dhe paslufta i dhanë goditjen e fundit këtij institucioni që vazhdonte të jetonte vetëm në letër dhe kur u deklarua e vdekur, në dhjetor të vitit 1925, askush nuk u kujtua për të. Në këtë mënyrë Bashkim monetar latin u la në  harresë. Sistemi pra që u krijua mes Francës së Napoleonit III, Belgjikës të Leopoldit II, Italisë të Vitorio Emanuelit II dhe Greqisë gjithsesi për atë kohë udhëhoqi politikat monetare të shteteve europiane. Edhe Spanja në vitin 1868 adoptoi një sistem analog me atë të Bashkimit, po ashtu edhe shteti i Vatikanit.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›