Kryebashkiaku Basha: “Me Edmond Panaritin, mbrojtja e konsumatorit do marrë shtytje të fuqishme”

Bashkia e Tiranës njeh dhe nënkryetarin e dytë, Lulzim Basha emëron profesor Edmond Panaritin
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha prezantoi dje nënkryetarin e Bashkisë, z. Edmond Panariti. “Mbrojtja e konsumatorit merr sot një shtytje të fuqishme me emërimin e Profesor, Doktor, Edmond Panariti, si nënkryetar bashkie, i cili do të jetë i fokusuar në mbrojtjen e konsumatorit si nga ana e sigurisë ushqimore, ashtu edhe për konkurrueshmërinë në treg, pa spekulime”, tha kryetari i Bashkisë para mediave.
“Jam i nderuar që kam në krah një qytetar, një akademik, dhe një menaxher si Edmond Panariti”, tha Basha, duke bërë të ditur se nënkryetari i ri i Bashkisë do të fokusohet në çështjet e mbrojtjes së konsumatorit.
Gjatë prezantimit, Basha bëri të ditur se Panariti është një nga kapacitetet më të njohur në vend dhe në rajon në çështjet e mbrojtjes së konsumatorit.
Duke shprehur mirënjohjen për besimin e dhënë, Panariti tha se portofoli që merr është i rëndësishëm dhe ka të bëjë me ambicie dhe objektiva të mëdha. Panariti tha se mbrojtja e konsumatorit është një prioritet absolut dhe emergjent. Nënkryetari i Bashkisë tha se ishte i lumtur që mbrojtja e konsumatorit është pjesë e esenciale e programit të z.Basha.
“Ky prioritet i programit tuaj, që e keni theksuar edhe gjatë fushatës, shkon në sinkron të plotë edhe me angazhimin tim qytetar”, u shpreh Panariti.
Profesor Doktor Edmond Panariti është një nga njohësit më të mirë në Shqipëri dhe në rajon për çështjet e mbrojtjes së konsumatorit.
Ai ka qenë i angazhuar së fundmi në një projekt rajonal 3 vjeçar të Bankës Botërore, në mbrojtje të konsumatorëve. Mbrojtja e konsumatorëve, si nga siguria ushqimore, ashtu edhe nga spekulimi me rregullat e tregut, është një nga prioritetet e kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha.
Kësisoj, Lulzim Basha e çon në dy numrin e nënkryetarëve të bashkisë së Tiranës, pas prezantimit të dy ditëve më parë të ish ministres së Integrimit, Jorida Tabaku. Kreu i bashkisë i kërkoi nënkryetares që të angazhohet fuqimisht në realizimin e prioriteteve të bashkisë, siç është ai i hapjes së vendeve të reja të punës dhe zhvillimi ekonomik. Ndërkohë, Tabaku ka dhënë dorëheqjen tashmë nga postet e mëparshme si zëvendësministre e Integrimit si dhe këshilltare e PD-së në bashkinë e Tiranës.