Nipi i Kryeministrit "fundos" në gjyq Krenar Ahmetin
Një tjetër dëshmi hedh dritë mbi incidentin e rëndë të ish-shefit të qarkullimit rrugor të Tiranës, Krenar Ahmeti, gjatë shoqërimit në komisariat të prokurores, Elisabeta Bajri, së bashku me bashkëshortin e saj, Agron Bajri. Dje në Gjykatën e Tiranës, ku po zhvillohet gjyqi ndaj Ahmetit, ka dëshmuar Hajredin Berisha, nipi i Kryeministrit Sali Berisha. Oficeri i policisë, sipas akuzës, ka qenë dëshmitar dhe ka parë nga afër të gjithë ngjarjen. I pyetur nga prokurori Ervin Karanxha, Berisha deklaroi se ish-shefi i qarkullimit, Ahmeti, e ka shoqëruar me dhunë prokuroren Elisabeta Bajri në rajonin e policisë. Nipi i Kryeministrit ka rënduar pozitën e Ahmetit teksa ka deklaruar se ka parë nga afër të gjithë ngjarjen, ndërsa mbante mend se Ahmeti urdhëronte vartësit që të ushtronin edhe ata dhunë mbi personat që po shoqëroheshin. "Dëgjova se shefi i policisë rrugore urdhëronte vartësit për shoqërimin e prokurores", deklaroi dëshmitari Berisha. Ndërkohë, prokurori e pyeti të pandehurin nëse kishte parë dëshmitarin afër vendit të ngjarjes. Ahmeti iu përgjigj se e kishte parë, por ishte pak larg dhe nuk u përzje në këtë ngjarje. Pas këtij episodi, Berisha ka treguar se ditën e shoqërimit të çiftit Bajri, ishte duke debatuar me Krenar Ahmetin, për shkak se në të njëjtën kohë, i bllokoi edhe atij makinën në rrugë e sipër. Një patrullë që shoqëronte Ahmetin e ka marrë jashtë dëshirës së tij, nga vendi ku u bllokua, te Kullat Binjake dhe e ka dërguar në komisariat. Në ato çaste, Berisha ka parë dhe ndezjen e debatit mes Ahmetit dhe prokurores e të shoqit, të cilët gjithashtu i ka shoqëruar për në komisariat. Ish-shefi i Qarkullimit Rrugor, i emëruar shef rendi në qytetin e Elbasanit, akuzohet nga Prokuroria e Rrethit të Tiranës se ka kryer veprën penale të veprimeve arbitrare. Prokuroria e akuzon gjithashtu se ai ka shoqëruar shumë qytetarë në Komisariatin Nr.2 pa të drejtë dhe se i ka mbajtur aty në mënyrë të jashtëligjshme. Mësohet se Ahmeti u hetua edhe për përplasjen me eskortën e Kryeministrit.