"Boshatiset" natën kasaforta e një agjencie transfertash
Kasaforta e një agjencie të transfertave të parave në Buçimas të Pogradecit është boshatisur nga hajdutët natën e së hënës. Burimet e policisë bënë të ditur se vjedhja është konstatuar gjatë orëve të mëngjesit nga punonjësit e kësaj agjencie. Sipas policisë, zyra nuk ruhej gjatë natës dhe ky fakt ka tërhequr autorët e kësaj vjedhjeje. Dyshohet se autorët janë persona të cilët kanë pasur dijeni për faktin se në kasafortë liheshin paratë edhe pas mbylljes së agjencisë. Ngjarja edhe pse është konstatuar vetëm në orët e para të mëngjesit, kur pronari i agjencisë ka shkuar si çdo ditë në punë, sipas të dhënave të policisë ka ndodhur gjatë natës. Duke përfituar nga errësira, autorët e vjedhjes kanë depërtuar në brendësi të zyrës ku ndodhej kasaforta, pasi kanë hyrë nga pjesa e pasme. Nga ana e policisë deklarohet se kasaforta ku mbaheshin paratë është gjetur e hapur dhe autorët e kanë vjedhur atë me thyerje. Persona ende të paidentifikuar kanë marrë sasinë e parave dhe një sasi kartash telefonike. Sipas të dhënave nga hetimet, pronari i agjencisë ka ngritur pretendimin se vlera totale e dëmit kap një shifër prej të paktën 200 mijë lekësh, gjysmat e të cilave ishin para të thata, ndërsa të tjerat karta rimbushëse.