E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia e Gërdecit, merren të pandehur 4 gjeneralët e Shtabit

Katër gjeneralë, katër zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe tre punonjës të firmave private, janë marrë të pandehur për tragjedinë e Gërdecit. Lista kryesohet nga ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, pasohet nga gjeneralët Shpëtim Spahiu, Zija Bahja dhe Dashnor Çaushi për të vazhduar me ish-zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Ardian Mullai e Adriatik Mema, si dhe ish-drejtorin ekonomik të ministrisë, Shkëlzen Madani, për të përfunduar me personat që gjenden aktualisht në qeli Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe Ylli Pinari. Gjeneralët dhe zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë kohës që ndodhi tragjedia e Gërdecit, do të akuzohen për "shpërdorim detyre", ndërsa drejtuesit e firmave private janë nën akuzë për "vrasje masive" dhe "shkelje të rregullave mbi trajtimin e lëndëve plasëse". Lajmi bëhet i ditur nga burime konfidenciale pranë Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave, personat e marrë të pandehur do të ftohen në prokurori për t‘u njohur me akuzën. Ndërkohë, burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme as e mohuan dhe as e pohuan një fakt të tillë. Ata u mjaftuan duke deklaruar se "nuk jemi të autorizuar të japim detaje nga hetimi i ngjarjes".

Fletëthirrjet

Gjithsesi, burimet konfidenciale të gazetës deklarojnë se grupi hetimor ka përgatitur fletëthirrjet e para. Mësohet se ata do të ftohen për t‘u njohur me cilësinë e re që do të marrin, pas vlerësimeve të provave nga organi i akuzës. "Jeni të ftuar në Prokurorinë e Përgjithshme në orën 10:00, datë 11.2.2009 për t‘u marrë i pandehur si pasojë e ngjarjes në datën 15.3.2008 në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku 26 persona humbën jetën dhe 300 të tjerë u plagosën", shkruhet në fletëthirrjet e çdo personi që do të njihet me akuzën e re. Burimet nga prokuroria deklaruan se provat që janë grumbulluar në vendngjarje, por edhe nga verifikimi i dokumentacionit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm janë verifikuar në harkun kohor të 11 muajve. Rezultatet e para flasin për një përfshirje të madhe të personave që kanë "ideuar" tragjedinë, duke filluar nga krerët më të lartë të ushtrisë dhe ministrisë. Por ata mund të akuzohen vetëm për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë marrë drejtpërdrejt në procesin e demontimit në terren dhe nuk kishin informacione mbi gjendjen e municioneve dhe rrezikshmërinë e tyre në fabrikë.

Hetimi në liri

Prokuroria e Përgjithshme, në një hark kohor prej disa javësh, ka vlerësuar çdo informacion mbi integritetin moral të të gjithë personave që do të merren të pandehur për tragjedinë. Pas verifikimeve të para, drejtuesit e hetimit për tragjedinë vendosën që ata të hetohen dhe gjykohen në liri, pasi nuk përbëjnë rrezik për shoqërinë. "Të akuzuarit janë persona me integritet të lartë moral. Kanë drejtuar institucione të rëndësishme të shtetit shqiptar. Kemi marrë informacione se veprimtaria e tyre nuk është e rrezikshme dhe nuk ka informacione se mund të ‘arratisen‘" deklaruan burimet nga akuza, duke shtuar se i gjithë procesi hetimor në vazhdimësi do të kryhet në gjendje të lirë. Por, hetuesit e çështjes nuk përjashtojnë idenë se ndaj të pandehurve të vendosen masa shtrënguese, që t‘u ndalohet kategorikisht udhëtimi jashtë shtetit ose një tjetër masë e mundshme është bllokimi i pasaportës.
Të pandehurit:

Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes

Luan Hoxha, ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë

Shpëtim Spahiu, ish-komandanti i Forcave të Bashkuara
Zija Bahja, ish- komandanti i Forcës Mbështetëse

Ardian Mullai, ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes

Adriatik Mema, ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes

Shkëlzen Madani, ish-drejtori ekonomik në Ministrinë e Mbrojtjes

Dashnor Çaushi, ish-drejtor logjistike në Ministrinë e Mbrojtjes

Mihal Delijorgji, bashkëpronari i "Albademil"

Ylli Pinari, ish-drejtuesi i MEICO

Dritan Minxolli, drejtuesi teknik i "Albademil"



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›