E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nipi i Mao Ce Dunit lektor i parimeve të gjyshit në Universitet!

PEKIN- Mao Xiniu, nipi i Mao Ce Dunit, gjeneral divizioni dhe kërkues në Akademinë e Shkencave Ushtarake të ushtrisë kineze, ka vendosur të japë leksione në universitet mbi parimet e gjyshit të tij të famshëm.

''Mao Xiniu ka fituar një post me kohë të pjesshme si lektor i mendimit të Mao Ce Dunit në Universitetin Canton'',- sipas një deklarate për shtyp të katedrës ku ai do të japë mësim.

Nipi i themeluesit të Republikës Popullore të Kinës, 41 vjeç, do të japë mësim në një klasë me 65 studentë, për këtë arsye ai ka nxitur që tani studentët e tij të bëjnë pyetje në faqen e tij të microblogging në www.people.com.cn për t'i ndihmuar.

I riu Mao, që ngjan edhe fizikisht me gjyshin e tij Mao, ka botuar disa libra, ndër të cilët "Gjyshi im Mao Ce Dun" dhe ishte zgjedhur blog-u më popullor në faqen e internetit "E përditshmja e popullit", gazeta zyrtare e Partisë Komuniste kineze.

Një vit më parë, nipi i vetëm i Mao Ce Dunit, që vdiq në vitin 1976, kishte deklaruar në faqen e internetit Netease, se dëshironte të angazhohej më tepër në jetën politike.

Me këtë rast ai kishte pranuar se përkatësia e tij familjare kishte kontribuar padyshim në promovimin e tij në ushtri. "Mendoj se miqtë dhe kolegët e mi në ushtri e kanë këtë ndjesi. Të gjithë përcjellin dhe shohin tek unë respektin dhe dashurinë e tyre për Maon",- shpjegoi ai.
(e.m/AFP/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›