E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis “lufta” e qeverisë kundër zhurmave

Masat e marra nga vendorët nuk patën rezultat, ndërsa për të luftuar këtë fenomen qeveria miratoi sot një Akt Normativ “Për krijimin e Task-Forcës për marrjen e masave të menjëhershme ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara në qendrat urbane dhe zonat turistike e bregdetare”.

“Me situatën e krijuar nga zhurmat e diskotekat, ky vend bëhet një vend surrealist, i cili në zona të tëra shëmbëllen më tepër si një vend i realizmit fantastik”, tha kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë. Akti parashikon krahas masave për subjektet që shkelin orarin e lejuar, duke shkaktuar zhurma në mjedis, edhe masa ndaj punonjësve publikë, përgjegjës për zbatimin e ligjit, që e neglizhojnë atë.

“Unë ftoj me shumë njerëzi e miqësi pronarët e këtyre lokaleve, të mos i verboi babëzia e të mendojnë se ka një orar, pas së cilit njerëzit duhet të flenë, të mendojnë se përreth lokaleve të tyre ka të moshuar, të sëmurë, foshnja, të cilët përtej një kohe të caktuar nuk mund ta tolerojnë zhurmën që ata krijojnë me lokalin e tyre. Ky problem ka arritur aty ku nuk mund të tolerohet më tej. Është i paharrueshëm shkrimi, - një shkrim real, jo sajesë – kur nga Korfuzi telefononin në Sarandë, duke pyetur se ç’po ndodh nga lagjja më e afërt, kërkonte të liheshin të flinin. Kjo është çmenduri, primitivizëm, të mos respektosh asnjë standard”, tha Berisha.

Akti Normativ përcakton shkarkime e ulje në detyrë ndaj të gjithë atyre që nuk e zbatojnë Aktin dhe që janë përgjegjës për zbatimin e tij, qofshin inspektorë të Inspektoratit të Mjedisit, të Shëndetit Publik apo të Policisë së Shteti. “Nëse dikush, në çmenduri, mendon të tronditë një qytezë deri në tre të mëngjesit dhe të dalin turistët të terrorizuar nga zhurma, ky është shërbimi më i keq që i bëhet vendit, është mekanizmi për të nxjerrë famën: Mos shkoni në Shqipëri, se atje  nuk fle dot nga zhurmat”, vijoi kryeministri. Ai shtoi se në të gjitha këto raste qëndron korrupsioni.

“Cilido që do t’i shurdhohen veshët nga korrupsioni, të shkojë të punësohet atje, se në administratën e shtetit nuk mund të marrë më rrogë. Përkundrazi, do të shkojë për ndjekje penale, se bën një krim. Zhurma është krim ndaj mjedisit dhe krimet ndaj mjedisit janë krime të rënda, të cilat, ky punonjës shtetëror, me indiferencën e vet, e ndihmon. Zotërinj ministra, ky Akt do të hyjë në fuqi dhe ju do të angazhoni të gjithë aparatin e ministrisë e të gjithë mekanizmat, për të kontrolluar zbatimin e tij. Nuk po kërkojmë veçse të bëhemi një vend normal dhe nuk ka asgjë më anormale se kjo që ndodh në brigjet tona, që ndodh në zemër të Tiranës, që ndodh në Shqipëri. Është njësoj si të lexosh novelat e realizmit fantastik”, përfundoi ai. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-07-25 15:27
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›