E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis Botërori i 19-të në tribunë 20 kryetarë shtetesh

JOHANESBURG- Në Johanesburg të Afrikës së Jugut i është dhënë starti Botërorit të 19-të të futbollit, me ceremoninë hapëse prej më shumë se gjysmë ore. Vdekja e stërmbesës së Mandelës nuk mund të ndalonte shoun për evenimentin më të madh futbollistik në botë, ndërsa mijëra njerëz kanë qëndruar gjithë ditën jashtë stadiumit në pritje të festës. 

1500 artistë performuan në fushën e impiantit “Soçer City”, ndërsa në tribunë ishin 20 kryetarë shtetesh. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun e ndoqi ceremoninë në krah të presidentit të Afrikës së Jugut Jakob Zuma dhe atij të FIFA-s Sep Blater. Mes të ftuarve ishte presidenti i Meksikës Felipe Kalderon, zëvendës presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xho Bajden me bashkëshorten e tij Xhill, por edhe krerët e shteteve afrikave si Zimbabve apo Kenia. 

Ceremonia e hapjes ishte një spektakël me ngjyra kryesisht afrikane, teksa këngëtarë si Shakira, Khaled apo Femi Kuti kanë ngritur peshë 60 mijë të pranishmit në stadium. Ceremonia e hapjes zgjati gati 40 minuta, për t’ia lënë më pas vendin ndeshjes së parë të Botërorit, Afrikë e Jugut-Meksikë.
(m.a/News24/BalkanWeb) Lidhje te tjera Botërori, sot Afrikë e Jugut-Meksikë, Francë-Uruguaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›