Kur Botërori kthehet në një çështje familjare
JOHANESBURG- Protagonistët e Botërorit të këtij viti nuk do të jenë aq të izoluar, pasi raportet familjare në të janë vërtetë të shumta. Do të ketë vëllezër në një skuadër, por edhe vëllezër kundërshtarë, do të ketë baballarë e lojtarë, por edhe futbollist e vjehërr. Kështu, në skuadrën e Bregut të Fildishtë do të jenë vëllezërit Kolo e Jaja Ture, ndërsa te përfaqësuesja e Hondurasit luajnë Xhoni e Uilson Palasio. Në kombëtaren japoneze, Shunsuke Nakamura do të ketë në krah të tij vëllain Kengo, ndërsa në atë të Paraguajt luajnë Edgar dhe Diego Barreto. Por, ka edhe vëllezër të ndarë. Kështu, trajneri i Meksikës Havier Agirre mori në Afrikën e Jugut Xhovani dos Santos, por la në shtëpi vëllanë e tij Xhonatan. E megjithatë, më interesant është rasti i dy vëllezërve Boateng. Ata kanë lindur të dy në Gjermani, por Zherom Boatend do të veshë fanelën e kombëtares gjermane, ndërsa Kevin-Prins, atë të Ganës. Madje, të dy do të jenë në fushë si kundërshtarë në ndeshjen e 23 qershorit, e fundit për grupin D. Në kombëtaren sllovene luajnë dy kushërinjtë Handanovicc, që janë të dy portierë, ndërsa te Kameruni Rigobert dhe Aleksandër Song janë gjithashtu kushërinj. Por, më e fortë është lidhja te Sllovakia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tekniku amerikan Bob Bradli ka thirrur në kombëtare djalin Majkëll, ashtu si ai slloven Vladimir Veis. Por, nëse të kesh një baba trajner duket paksa kufizuese, akoma më keq është rasti i Van Bomel dhe Agueros, që do të kenë për trajnerë vjehrrët e tyre. Van Bomel është dhëndrri i trajnerit të Holandës Van Marvijk, ndërsa Aguero është bashkëshorti i vajzës së Maradonës, Xhanina.
(Altin Latifi/BalkanWeb)
(Altin Latifi/BalkanWeb)