E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenton të vjedhë skrap, pranga një 22-vjeçari

Bien sërish në rrjetën e policisë vjedhësit e hekurishteve në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, shitja e të cilave riciklohet po këtu. Rasti më i fundit është shënuar rreth orës 19:30 të së martës. Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, mësohet se është arrestuar në flagrancë 22-vjeçari Evis Çela, lindur e banues në fshatin Bradashesh të Rrethit të Elbasanit. Sipas burimit në fjalë, arrestimi i tij u bë pasi ka tentuar të vjedhë hekurishte (skrap) në ambientet e Uzinës së Petëzimit, tek ish-Kombinati Metalurgjik, marrë me koncesion nga "Kurum". Mësohet se 22-vjeçari e ka kryer vjedhjen në bashkëpunim me 15-vjeçarin me inicialet J.T., lindur e banues në fshatin Bradashesh dhe R.Ç., vjeç 16, lindur e banues në fshatin Bradashesh, i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes. Mësohet se këta shtetas janë kapur në flagrancë nga punonjësi i policisë private për ruajtjen e sigurimin e këtij objekti, i cili më pas ka lajmëruar shërbimet e policisë. Nga ana e policisë u bë shpallja në kërkim ndaj të miturve J.T. dhe R.Ç., dhe po punohet për gjetjen e shoqërimin e tyre. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale "Vjedhje e kryer në bashkëpunim". Rasti në fjalë çon në rreth 20 persona që janë dënuar apo proceduar gjatë këtij viti me gjobë në këtë zonë industriale për vjedhje të skrapit.

Be.Dy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›