Spostohet Qirjako, Agim Canaj, trajneri i ri i Gramozit
Agim Canaj është trajneri i ri i Gramozit, duke zëvendësuar në pankinën Ilir Qirjakon. Është paksa befasuese ky zëvendësim, nisur dhe nga fakti se të shtunën e kaluar, Gramozi fitoi 2-0 me Flamurtarin. Gjithsesi, me vetëm 5 pikë në po aq javë, drejtuesit e klubit kolonjar kanë menduar t’i japin një profil më agresiv skuadrës së tyre dhe personaliteti e kapaciteti një trajneri me përvojë të madhe me ekipet e vogla, si ai i Agim Canajt, përmbush kriteret e klubit të mbështetur financiarisht nga kompania “Taçi Oil International”. Ilir Qirjako bëhet kështu trajneri i tretë këtë sezon që largohet nga drejtimi i një skuadre të Superligës, teksa më parë kanë dhënë dorëheqjen Gugash Magani nga Shkumbini (aktualisht drejton Flamurtarin) dhe Eqerem Memushi nga Flamurtari. Ndërkohë mësohet se Qirjako do të mbetet në stafin e Gramozit si ndihmësi i Canajt.