Nis Kongresi i PS-së, Kodheli: Do të hapim 300 mijë vende pune
( I përditësuar)- Partia Socialiste nisi Kongresin për të miratuar programin e ri politik, ndryshimet në statut dhe për të zgjedhur Asamblenë Kombëtare. Kandidatët nga e gjithë Shqipëria u mblodhën në Pallatin e Kongreseve.
Hapja e Kongresit u bë duke mbajtur 1 minut heshjte për të vrarët e 21 janarit.
12: 10
Sajmir Tahiri: Stop ushtrisë së nuk di ç`bëj, por rroftë partia
Sajmir Tahiri gjatë fjalës së tij theksoi se gjithçka në këtë qeveri kalon në rrugën e korrupsionit. Ne do të vendosim konkurrencën e drejtë në shërbim të të gjithëve. Ne socialistët do të ndryshojmë funksionin e administratës publike nëpërmjet aplikimit të përgjegjësisë. Do të krijojmë një administratë publike të aftë, ushtria e nuk di c`bëj por rroftë partia nuk do të ketë më vend në administratën publike. Për shkak të korrupsionit dhe paaftësisë qeveria e sotshme ka dështuar në lidhje me çështjen e pronës. Ne progresistët e konsiderojmë pronën private dhe publike të shenjtë
Tahiri theksoi se programi ka në bazë largimin e fatit të popullit nga duart e grabitqarëve të pushtetit.
11: 59
Mimi Kodheli prezanton programin e PS-së
Gjatë fjalës së saj deputetja Mimi Kodheli deklaroi se qeveria merr 20% taks për çdo kafshatë buke, PS do ta heq taksën e bukës. Ne do të heqim taksën e ilaçeve. Ne s`mund të pranojmë një Shqipëri ku taksohen njësoj edhe mësuesi edhe Kryeministri. Ne jemi kundër taksës së sheshtë dhe do të vendosim një taksim progresiv. Ne duam një Shqipëri ku kush punon më pak do të taksohet më pak. Gjysma e të rinjve e të rejave shqiptare janë të papunë, kjo është e papranueshme e turpshme për ata që qeverisin ne do të krijojmë 75 mijë vende të reja pune që në vitin e parë të mandatit të punës të zgjedhjeve tona, theksoi Kodheli.
Sipas saj fshati do të jetë fronti prioritar i punës së PS-së, për rimëkëmbjen e Shqipërisë. Ne do të punojmë për kthimin e 500 mijë shqiptarëve nga të papunë në burimin më të rëndësishëm të politikës sonë të punësimit. Ne do të krijojmë 300 mijë vende të reja pune dhe ky është angazhimi ynë. Ne do ta zgjidhim përfundimisht çështjen e pronës.
11: 38
Klosi: Ata po mbushin Shqipërinë me plehra
Fjala e hapjes së Kongresit, mbajtur nga Blendi Klosi.
Është nder që jam në kongresin e atyre që kërkojnë votën e lirë ndaj protestuam dhe do të luftojmë kundër korrupsionit. Ky është Kongresi shpresës për votuesit e PS-së që na dhanë mandatet të qeverisim, por dhe mijëra të tjerëve që shpresojnë si ne. Deklaroj të hapur kongresin e atyre që u ka ngelur kafshata në gryk kur e shohin Shqipërinë të grabitet dhe të tallet nga politika e të tjerëve. Sot nën drejtimin e Edi Ramës po projektojmë rilindjen e re të Shqipërisë. Programi i ri politik do të dëshmoj diferencat e mëdha që ne kemi me kundërshtarin tonë politikë. Ne do të ndërtojmë një Shqipëri të pastër, ata propozojnë një Shqipëri të refuzuar nga vendet e BE-së. Ne dëshirojmë një Shqipëri të pa ndotur ata dëshirojnë një vend të mbushur me plehra
******
Sot do të miratohet Komisioni i Garancive Statutore, i cili do të vijojë punën me verifikimin e mandateve të të gjithë delegatëve. Më pas, fjalën hapëse do ta mbaj kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili do të fokusohet në fjalën e tij tek ndryshimet e programit politik dhe alternativën që ofrohet nga socialistët.
Burime nga selia rozë bëjnë të ditur për gazetën Shekulli se në punimet e Kongresit do të jetë i pranishëm dhe një delegacion i PASOK-ut. Krahas fjalës së kryesocialistit do të shfaqen në një ekran të madh, i cili do të jetë i vendosur në qendër të sallës, mesazhe përshëndetëse të Internacionales Socialiste, të Partive Socialiste Evropiane ku PS bën pjesë, si edhe një mesazh nga grupi socialist në Parlamentin Evropian.
Pas fjalimit dhe mesazheve përshëndetëse, mbledhja do të vijojë punimet me dyer të mbyllura. Për më shumë se dy orë është parashikuar që të diskutohet nga të pranishmit mbi programin e ri politik dhe ndryshimet në statut. Pritet që të ketë diskutime dhe nga deputetët që njihen si pjesë e grupimit të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS.
Punimet e Kongresit do të fokusohen tek zgjedhja e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare. Në lidhje me emrat që do të zgjidhen është diskutuar gjatë në selinë e PS-së. Lista është menaxhuar nga kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi dhe sekretari Organizativ në Partinë Socialiste, Blendi Klosi.