Fondacioni “Vodafone Albania”, një vit kontribute për komunitete e njerëz në nevojë
Fondacioni “Vodafone Albania” prezantoi dje Raportin e Parë Vjetor për 2008-2009-n. Ky raport ofron një pasqyrë të plotë të investimeve sociale për periudhën prill 2008 – mars 2009, duke regjistruar ndër kontributet më të mëdha që një biznes vendas kryen në fushën sociale. Me fondet e siguruara nga “Vodafone Albania sh.a.” dhe “Vodafone Foundation” në Mbretërinë e Bashkuar, Fondacioni zhvilloi tri thirrje për aplikime për palët e interesuara të shoqërisë civile, identifikoi dhe financoi një numër prej 20 projektesh cilësore në përgjigje të prioriteteve të komuniteteve në nevojë, duke realizuar impakte të rëndësishme për fushën e edukimit, shëndetësisë, mjedisit dhe mirëqenies sociale. Efekt i zbatimit të këtyre projekteve është dhe zgjerimi i hartës së investimeve, përfshirë Kukësin, Shkodrën, Lezhën, Durrësin, Tiranën, Elbasanin, Vlorën, Gjirokastrën dhe rrethe të tjera. Programi i këtij viti është karakterizuar gjithashtu nga shkallë e gjerë përfituesish nëpërmjet projekteve të financuara, përfshirë mbështetjen për fëmijë pa mundësi për t’u shkolluar, persona me aftësi të kufizuara, ndihmë për komunitetet në zona shumë të varfra, mbështetje për komunitetin rom si dhe për grupe të pambrojtura e me plagë sociale të tilla si, viktimat e trafikut njerëzor, gra shtatzëna me rrezik braktisjen e fëmijëve etj. Siç ishte premtuar gjatë prezantimit të programit të Fondacionit në janar 2008, gjatë këtij viti u promovuan iniciativa të reja, si programi “Bota e Ndryshimit” dhe programi “Sporti dhe Muzika” në mbështetje të njerëzve të papërkrahur. Projektet sfiduese të dy fitueseve të parë të “Bota e Ndryshimit” dhe organizimi me sukses i “Lojërave Speciale Olimpike 2008” në Shqipëri ishin rezultat i këtyre përpjekjeve. Është për t’u theksuar se Fondacioni është një nga institucionet e para që ka reaguar me një përgjigje dhe përkushtim të menjëhershëm për të ndihmuar popullsinë e prekur nga fatkeqësitë, duke përfshirë paketa ndihme të dhuruara përmes Kryqit të Kuq Shqiptar për 880 familjet në Gërdec, si dhe investimi më i madh i vitit, rindërtimi i shkollës fillore në Gërdec, në sajë të të cilit 125 fëmijët e këtij fshati tashmë kanë një shkollë sipas standardeve bashkëkohore.
10 Korrik 2009