E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis faza e dytë e sheshit, Rama shmang polemikat



DURRES/ OERD ULQINI

Bashkia e Tiranës shmang polemikat dhe nis fazën e dytë të punimeve në sheshin "Skënderbej". "Ndërtimi i sheshit do të bëhet duke marrë në konsideratë rëndësinë historike dhe duke vlerësuar aspektin tradicional të tij, por edhe duke e sjellë këtë shesh në shekullin e ri", tha dje kryebashkiaku Edi Rama. Ai theksoi se punimet në shesh nuk do të sjellin një bllokim tërësor të tij, por do bashkëpunohet me Policinë rrugore për të garantuar rrjedhshmëri të trafikut, në mënyrë që të mos pengohet në masën që të bëjë të pamundur qarkullimin rreth sheshit. Rama evitoi komentet mbi akuzat e Qeverisë për punimet e paligjshme dhe kërkoi bashkëpunim nga të gjithë aktorët. "Nuk dua të hyj në asnjë polemikë. E kam thënë dhe e përsëris. Ky është një projekt madhështor, ambicioz, i ndërlikuar. është një projekt shumë qendror për kryeqytetin dhe këtu duhet bashkërendimi i të gjitha forcave, si dhe energji pozitive. çdo energji negative, e destruktive nuk është në të mirën e kësaj pune që unë e konsideroj në të mirën e përbashkët. Sa i përket devijimit të trafikut, kreu i bashkisë nënvizoi se gjithçka do të bëhet në mënyrë graduale dhe fazë pas faze. "është një domosdoshmëri që punimet të vazhdojnë me një ritëm të lartë. Njëkohësisht rrjedhshmëria e trafikut të mos pengohet në masën që të bëjë të pamundur qarkullimin rreth sheshit", tha Rama. Dy ditë më parë Kryeministri Berisha ftoi kundërshtarin e tij politik të pezullojë punimet dhe t'u nënshtrohet diskutimeve të gjera e transparente të qarqeve akademike e mediatike të vendit. Ndërsa, drejtori i Inspektoratit të Ndërtimit, Gjergj Bojaxhi, i kërkoi Bashkisë së Tiranës të marrë lejet përkatëse për vijimin e punimeve në sheshin "Skënderbej" në qendër të Tiranës. Ai theksoi se, nëse bashkia nuk zbaton ligjin, INUK do të bëjë shkresë për të anuluar punimet në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Gjatë punimeve pranë monumentit të "Skënderbeut" dje u nxor dhe pllaka e fundit e monumentit të "Stalinit", i cili ishte vendosur aty para se të ngrihej monumenti i Heroit Kombëtar, duke hequr edhe këtë gjurmë të fundit të nëndheshme të komunizmit.

Qarkullimi i makinave,si do devijojë trafiku

Faza e dytë zgjeron hapësirën e punimeve në sheshin "Skënderbej". Ato tashmë do të shtrihen përreth sheshit, përpara Pallatit të Kulturës, Muzeut Kombëtar, Bankës së Shqipërisë dhe në lulishten pas monumentit të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Kjo fazë e re punimesh do të kufizojë trafikun përreth qendrës, Pallatit të Kulturës dhe Muzeut Kombëtar, në fillim të Rrugës së "Kavajës" dhe para Bankës së Shqipërisë. Tashmë qarkullimi i automjeteve do të orientohet në Unazën e Vogël pjesërisht, në rrugën pas Muzeut Kombëtar, duke vazhduar pas Bankës së Shqipërisë, duke u lidhur nëpërmjet urës së re mes pallateve "Shallvare" dhe pallateve "Agimi", me dy senset e unazës. Rruga "Dëshmorët e 4 shkurtit" do të bëhet me dy kalime. Ndërkohë bllokimi i një pjese të sheshit, përpara Pallatit të Kulturës do ta devijojë trafikun pas tij dhe do të ndryshojë kahun e qarkullimit të automjeteve edhe në rrugën "Qemal Stafa", pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ku automjetet do të lëvizin vetëm në drejtim të unazës drejt Rrugës "Bardhyl". Punimet do të bëjnë që të hiqen parkimet në Rrugën "Mine Peza", përpara selisë së PS-së dhe Rrugës "Dëshmorët e 4 shkurtit". Kryetari i bashkisë, Rama, i ka konsideruar mjaft të vështira dhe të rëndësishme punimet në infrastrukturën nëntokësore, ndaj ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve. Megjithëse Rama dha garanci për bashkëpunimin me Policinë rrugore, nuk dihet nëse kjo e fundit do t'i përgjigjet pozitivisht kërkesës, për aq kohë sa konflikti mes Qeverisë dhe bashkisë për punimet në shesh vazhdon. Kufizimi i qarkullimit në qendër do të bëhet në pjesë të veçanta, për të mos krijuar kolaps.

Qarkullimi i automjeteve

Rrugët që do mbyllen:

• Para Pallatit të Kulturës
• Para Muzeut Kombëtar

Devijimi:

• Unaza e Vogël pas Muzeut Kombëtar
• Hapja e Urës së Re, pranë "Tajvanit"
• Rruga "Dëshmorët e 4 Shkurtit" me dy drejtime

Hiqen parkimet:

• Në rrugën "Mine Peza"
• Në rrugën "Dëshmorët e 4 Shkurtit"
• Në rrugën "Abdi Toptani"
• Prapa Pallatit të Kulturës

Reduktimi i parkimeve:

• Në rrugën midis Bankës së Shqipërisë dhe selisë së PS-së

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›