E Diel, 1 Nëntor 2026

Universitetet, kuponë “bonusesh” studentëve me rezultate të larta



Ministria e Arsimit i qaset modelit kilian dhe atij lituanez për skemën e re të financimit në shkollat e larta. Ndonëse ajo nuk përdoret në pjesën më të madhe të vendeve të Bashkimit Evropian, Shqipëria duket se do të përqafojë pikërisht këto modele. Propozimi i fundit, që ka shumë gjasë të miratohet vitin e ardhshëm, parashikon dhënien e mbështetjes financiare për studentët me rezultate të larta. Sipas modelit të ri, studentëve do t'u jepet një kupon. Përfitues të këtij kuponi, vlera e së cilit nuk është përcaktuar ende, do të janë vetëm ata që kanë rezultate të larta. Këta studentë do të jenë të lirë që me kuponin përkatës të vijojnë studimet në universitete publike, por nëse nuk kanë fituar në degën e preferuar, kuponin mund ta përdorin edhe për të nisur shkollën e lartë në një universitet privat. Sipas Ministrisë së Arsimit, ky model financimi synon të zbatojë parimin se paraja ndjek studentin, duke përmbushur arritjen e 5 objektivave kryesorë: kontributi në rritjen ekonomike, eficenca, barazia, qeverisja dhe qëndrueshmëria fiskale, që duhet të shoqërojë sistemin universitar. Specialistët e MASH argumentojnë se, karakteristikë kryesore e këtij modeli është se u jep studentëve lirinë e zgjedhjes së programeve, duke u siguruar atyre të drejta të barabarta, ndërkohë që e bën arsimin e lartë më të shumëllojshëm dhe u përgjigjet kërkesave të studentëve nga njëra anë, dhe atyre të tregut nga ana tjetër. Sistemi funksionon duke u dhënë studentëve nga një kupon, i cili ka një vlerë të caktuar për shpenzimet e studimit në arsimin e lartë. Madhësia e vlerës përcaktohet nga lloji i studimeve që do të ndiqen. P.sh., studimet në një degë të shkencave sociale kushtojnë shumë më lirë se ato të shkencave mjekësore. Sipas këtij modeli, programet e studimit grupohen në disa shporta, sipas kostos së tyre. Ndarja e këtyre kuponëve do të përcaktohet nga fondet që do të mblidhen për secilin program.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›