E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja e Remzi Hoxhës. Policia do të sjellë me forcë në gjyq Agim Shehun dhe Fatos Klosin

Gjykata urdhëron Policinë e kryeqytetit për zbatimin e këtij vendimi. Dëshmia e ish-shefit të Rendit për mashtrimin që i bëri Avdyl Loshaj

Remzi Hoxhës në vitin 1995, gjatë seancës së djeshme duhej që të dëshmonte ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit deri në 1997-n, por ai nuk u paraqit. Në fakt, është një mosparaqitje e përsëritur disa herë me radhë, ndaj prokurori i çështjes, Xhevat Hana, reagoi duke kërkuar shoqërimin me forcë të Agim Shehut dhe të Klosit, kërkesë që iu dha gjykatës për pranim me qëllim urdhërimin e policisë që ta zbatojë. Sakaq, procesi ka vijuar me dëshminë e radhës. Ish-shefi i Rendit të Policisë së Sarandës, Ardian Muho, ka sjellë para kolegjit të Krimeve të Rënda fakte mbi njohjen e dyshimtë me Avdyl Loshajn.
Kërkesa
Ndërkohë, trupi gjykues ka deklaruar se në këtë institucion është sjellë një letër në të cilën thuhet se Shehu nuk ndodhet në Shqipëri, pretendim i cili është mbrojtur fort dhe nga avokatët e të pandehurve. Gjithashtu, për të dëshmuar në sallën e gjyqit dje ishte thirrur dhe ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi, por dhe ky nuk është paraqitur. Edhe për Klosin prokuroria kërkoi thirrjen e tij dhe shoqërimin me forcë në sallën e gjyqit, në seancën e ardhshme. Por reagimi i prokurorit të çështjes, Xhevat Hana, ka qenë se Agim Shehu është në Tiranë dhe se çdo ditë shkon në punën e tij në Ministrinë e Financave. E njëjta gjë dhe për Fatos Klosin. Për më tepër, ky i fundit deklarohet se nuk është në adresën e shtëpisë kur në të vërtetë shfaqet thuajse çdo ditë në televizione dhe media të tjera.
Verifikimet
Vetë prokuroria ka pranuar se ajo ka investiguar për vendndodhjen e Shehut dhe të Klosit. Për të parin ajo ka mësuar se ai jo vetëm nuk ndodhet jashtë shtetit, sikundër njoftohet zyrtarisht gjykata, por vazhdon punën e shtetit që ka marrë kohët e fundit pasi u kthye në Shqipëri, pasi ishte në arrati prej disa vitesh, që pas trazirave të vitit 1997. Pikërisht pas këtyre investigimeve prokurori i çështjes ka kërkuar shoqërimin me forcë të Shehut në sallën e gjyqit, për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, në vitin 1995. Agim Shehu njihet si gjenerali që ishte në krye të forcave policore që realizuan dhunimin e tubuesve në protestën e 28 majit 1996, në sheshin “Skënderbej”, ku u bënë objekt i dhunës së egër policore një numër qytetarësh dhe drejtues të politikës së majtë. Dëshmia
Ardian Muho tregoi para trupit gjykues se si është mashtruar nga Abdyl Loshaj, i cili iu paraqit atij si një gazetar austriak që fliste vazhdimisht anglisht dhe se si kishte marrë kontaktet e para me Ziso Kristopulin në lokalin e tij, në Ksamil. Muho tha se para ’97-s i kishte afruar miqësinë një gazetari të huaj me emrin Armando, por që asnjëherë nuk kishte dyshuar se ai mund të ishte shqiptar dhe aq më tepër një agjent, siç pretendon prokuroria. Ish-shefi i Rendit tha me tej se gjatë qëndrimit të austriakut në Sarandë kishin vizituar edhe lokalin e Ziso Kristopulit në Ksamil. Në procesin për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës janë të pandehur 4 persona, ish-punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar, Arben Sefgjini, sot drejtor i Tatimeve; Ilir Kumbaro, që pretendohet se ndodhet në Angli; Budjon Meçe dhe Avni Koldashi.

17 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›