E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bindje-besim” apo thjesht “justifikim”!

Rexhep Meidani 

Këto ditë në ekrane na u shfaq ministri i Drejtësisë që akuzoi KLD-në për votimin nga ky organ kole-gjial të kryetarit të Gjykatës së Tiranës. Kuptohej që më shumë se një akuzë ndaj anëtarëve në tërësi të këtij organi, kjo shfaqje publike ishte edhe një sulm konkret ndaj dy drejtuesve të KLD-së, kryetarit (presidentit) dhe zëvendëskryetarit të këtij këshilli. Deri këtu nuk kishte asgjë për t’u çuditur, sepse sulme të tilla janë konstatuar edhe më parë, natyrisht sipas urdhrave të qartë politikë-partiakë. Por ajo që të bënte më shumë përshtypje ishte justifikimi i pakuptimtë i zëdhënëses dhe, mbi të gjitha, deklarimi i votave individuale për titullarët e mësipërm. Bile, gjithçka që ajo deklaroi ishte në emër të nënkryetarit të këtij këshilli (apo në emër të presidentit), deri duke treguar dhe votimin konkret të këtij fundit. Qoftë dhe me pretendimin e transparencës së votës! Dhe kjo nuk është fare normale, aq më tepër që diçka e tillë flet për “frikë” apo “zbehje” të rolit të institucioneve të mësipërme përkundrejt “fishkëllimave” të ekzekutivit. Përndryshe, pse duhej ky lloj justifikimi!...
* * *
Pa dyshim, ka mjaft gjëra që mund të justifikohen. Të tilla janë bindjet e besimet, veprimet e emocionet, synimet e deklarimet etj. P.sh., të tilla janë justifikimet e pohimeve dhe sjelljeve konkrete, deklaratave e platformave elektorale, orientimeve e propozimeve qeverisëse, pozicionimeve politike të mëparshme apo përdredhjeve të tyre të ardhshme. Ndryshe mund të thuhet se gjithmonë gjenden arsye (ose pseudo-arsye) për të ruajtur e ndryshuar një bindje me 180 gradë, apo për të shpjeguar, d.m.th. dhe justifikuar, përse një bindje mbetet e drejtë, ose pse ajo shpaloset si e vërtetë. Prandaj, jo rrallë, argumentet e shpjegimet ndërthuren midis tyre duke krijuar konfuzion jo të pakët në vetë barazimin e shpjegimit me justifikimin. Aq më keq, kur disa pohime mishërojnë, në thelb, disa justifikime që shiten si evidenca e argumente. Sidomos një gjë e tillë është karakteristike në politikën aktuale shqiptare. Sa për krahasim, një rast klasik është, p.sh., justifikimi që ndeshet shpesh për hajdutin që ka vjedhur apo po vjedh për të shpëtuar familjen nga uria. Në një paralele të ngjashme, për më tepër aspak luajale, kanë notuar sot partitë kryesore në këtë proces zgjedhor duke shfrytëzuar teorinë e “koalicionit”, pa harruar, paralelisht, dhe vjedhjen konkrete të votës në procesin e numërimit, veçanërisht të partive të vogla!...
     Nga ana tjetër, kuptohet lehtë se justifikimi nuk është shpjegim, edhe pse në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ai mund të ndihmojë për të shpjeguar një sjellje konkrete. Kështu, p.sh., në një humbje zgjedhore, një drejtues partie apo fushate mund të synojë, të tërheqë e garantojë, përveç mobilizimit të “besnikëve” servilë, indiferencën e anëtarëve e qytetarëve apatikë. Bile, ta shesë indiferencën e tyre për gjoja mbështetje, ta krijojë këtë “mbështetje” brenda forumeve, mediave apo mjediseve të tjera publike. Dhe, mbi të gjitha, të ndërtojë “alibinë” dhe të fitojë “simpatinë” për vazhdimin e qëndrimit në krye, qoftë me marifete njerëzore, qoftë me harresa statutore, ndërkohë që ndryshimi i drejtimit në perspektivën politike të grupimit humbës është jo vetëm i detyrueshëm, por dhe i domosdoshëm! Aq më tepër për humbje të kushtëzuara po nga ky drejtim, të lidhura me vendimmarrje, me veprime e përzgjedhje më tepër individuale, sesa kolektive (pa pjesëmarrjen e vetë forumeve)! Parë në këtë prizëm, mund të radhiten disa protagonistë, përfshirë dhe ata që kanë “gjetur” ndonjë zgjidhje praktike apo ndonjë “barkë shpëtimi”!... 
* * *
Nuk duket që dallimi është shumë i madh midis atij që ka tentuar një pushtet të tërë për vete dhe atij që ka shprehur, me teprim, besim e bindje në fitimin e një numri shumë të madh “karrigesh” parlamentare. Në fakt, vlen të nevojitet që të kuptohet dhe shpjegohet ajo që ka ndodhur, por dhe të dekurajohet gjithçka me të cilën synohet të frymëzohet një sjellje as politike e as morale. Përndryshe, kjo lloj “limonade” apo ky lloj justifikimi do të vazhdojë të prodhojë, si gjithmonë, vetëm fajtorë pa faj! Dhe humbja mund të përsëritet lehtësisht në betejat e ardhshme! Në këtë kuptim, vetë justifikimi, më shpesh, si një orientim e aktivitet i qëllimshëm, përpiqet, kështu, të ruajë një të drejtë “jo patjetër të drejtë”, jo vetëm në aspektin politik të së drejtës, por dhe në aspektin moral të saj. Dhe, për më tepër, në përputhje me obligimin qytetar, për të arritur atje ku duhet: në mishërimin e përgjegjësinë vetjake, politike e intelektuale...
     Nuk mohohet se justifikimi mund të shfaqet dhe si një “nocion normativ”. Aq më tepër që kur një besim justifikohet, ka diçka që e justifikon atë. Ky është “justifikuesi”, madje nëse një besim justifikohet mund të thuhet se ka të paktën një justifikues konkret. Në zgjedhjet e fundit, një justifikues i mjaftueshëm janë parregullsitë serioze në procesin e numërimit. Kështu, p.sh., dëshmi evidence janë kutitë e hapura, por, ama, jo patjetër një dëshmi e tillë është shpjeguese, edhe pse ajo mund të mbetet justifikuese. Një paralele e saj është rasti i një gruaje që konstaton se parfumi i të shoqit (të kthyer nga një udhëtim i largët) ka ndryshuar apo ajo vë re një shenjë buzëkuqi në këmishë, atëherë për të, në kushte xhelozie, parfumi e buzëkuqi mjaftojnë plotësisht si një evidencë në tronditjen tërësore të besimit të saj ndaj të shoqit. Në procesin e shpërthimit të xhelozisë së saj nevojitet, pra, dhe justifikuesi, shoqëruar si me gërryerjen kohore të besimit të saj, ashtu dhe fakte të tjera brenda një zone për rreth ose mjedisi të afërt. Aq i thellë shfaqet ky proces në kuadër të justifikimit politik e publik...
* * *
Ideja e justifikimit publik shfaqet si një ide çelës në teorinë politike liberal-demokratike. Kështu, p.sh., një regjim nuk vlen të legjitimohet kur ai nuk konsiderohet i arsyeshëm, të paktën, në shumicën e pikëpamjeve mbi të. Po aq problematik është dhe rasti kur një regjim gjykohet legjitim, duke u bazuar kryesisht mbi arsye të gabuara dhe të rrezikshme, pse jo dhe duke u mbështetur në besime të gabuara, dëshira e preferenca moralisht të papranueshme. Po ashtu, demonstrimi i legjitimitetit mund të mos jetë praktikisht efektiv, sidomos kur shoqërohet me shtesa të detyrueshme apo imponime që lidhen me arsyetime gjoja pozitive, por të papranueshme përkundrejt shqetësimeve kryesore qytetare, vetë problematikës së tyre. Në thelb, këtu qëndron dhe konkurrenca apo “gara” midis efektivitetit praktik e parimit moral, bile balancimi midis tyre ka të bëjë dhe me konceptimin e drejtë e publik të justifikimit...
     Nuk mohohet se të arsyetuarit publik (përfshirë dhe justifikimin në aspektin politik-publik) sa e ushqen, po aq dhe e synon një përmbajtje liberale. Në këtë kuptim, në një skemë liberalizmi mund të mbrohet ideja e shtjellimit apo arsyetimit publik si një ideal deliberativ. Pse jo dhe të demonstrohet lidhja e tij të brendshme me njëfarë justifikimi politik për çështje politike fondamentale. I tillë mund të pretendohet dhe justifikimi “lësëist” i ditëve të fundit! Por, ama, dhe brenda kësaj skeme liberal-demokratike, nuk mungojnë rastet kur arsyetimi publik e “mbështjell” mungesën e sinqeritetit në këtë lloj propagandimi mediatik e “çlirimi” publik. Bile, ky i fundit mund të rezultojë jo konsistent me përmbajtjen, me vetë “vizionin” apo idealin e objektivitetit në vendimmarrjen politike. Po kështu, një problem në vete është dhe arsyetueshmëria apo mungesa e saj. Pra, ndërkohë që përmbajtja e të arsyetuarit publik gjenerohet nga ide fondamentale të liberalizmit politik, gjykimet konkrete mbi arsyetueshmërinë, mbi pretendimet e propaganduara dhe argumentet e përdorura duhet t’u lihen vetëm qytetarëve (që janë plotësisht të aftë të ushqejnë atë proces të arsyetuari sa të bazuar në ide fondamentale, po aq të nxitur nga virtyte liberale e deliberative, dhe aspak të frymëzuar nga marifete partiake e “avokati” politike). Pra, pikësëpari, vlerësimi mbi to u takon qytetarëve, votuesve, vetë anëtarëve të bashkësive politike dhe jo kultivimeve apo inateve të veçanta, “doktrinave” të liderëve apo interesave konkrete të tyre...
* * *
 Por, le të kthehemi tek çështja e fillimit, ajo e justifikimit. Çfarë është të justifikuarit e një vendimi apo aksioni, pohimi e propozimi, një ligji apo një politike? A është njëlloj të justifikosh një ndërhyrje e interferencë, një bindje e besim? Apo, akoma, a është justifikimi legal një analog i atij politik, apo të dy ata kanë një lidhje të ngushtë me vetë pamjen dhe përmbajtjen e justifikimit moral?... Pavarësisht nga larmia e përgjigjeve për të justifikuar një pozicionim, një veprim apo vendimmarrje, kërkohen të pasqyrohen apo rreshtohen arsye të mjaftueshme, që ky pozicionim, veprim apo vendim i marrë të jetë i pranueshëm, me një konsistencë logjike dhe me përmbajtje bindëse për këdo individ të arsyeshëm. Bile, arsyetimet e shfrytëzuara mund të mos jenë fare pjesë e vetë pozicionimit, aksionit apo vendimmarrjes. P.sh., nëse pyetet një deputet në parlament “përse po e voton një rezolutë, një ligj apo kod, një amendament kushtetues?” dhe ai përgjigjet se “po ngre thjesht dorën!”, kjo nuk është as justifikuese, as arsyetuese! Në këtë kuptim, një justifikim i duhur e furnizon bazën fillestare, deri diku adekuate, për pranimin e pozicionimit të justifikuar. Me fjalë të tjera, për të pretenduar që diçka është e justifikueshme, duhet që si rrjedhojë e “anketimit” apo ndijimit mesatar qytetar, kjo diçka të rezultojë eventualisht apo praktikisht e justifikuar... Nuk duket që rastet e mësipërme, më tepër të nënkuptuara, jo vetëm nuk e gjejnë shpjegimin, por nuk përfshihen dot as në skemën më të thjeshtë të justifikimit!...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›