Nis fushata “Bashkojuni ecjes së parë për vetëdijesimin ndaj kancerit të gjirit në Kosovë”
PRISHTINË - Me qëllim të ngritjes së vetëdijes ndaj kancerit të gjirit, Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit “Jeta/Vita”, në bashkëpunim me “Iniciativën Ballkanike të Kancerit të Gjirit”, organizuan sot në Prishtinë fushatën “Muaji ndërkombëtar i luftës kundër kancerit të gjirit”. Me këtë rast Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë Tina Kaidanov, tha se me kujdes të vazhdueshëm do të arrijmë që ta luftojmë këtë sëmundje të tmerrshme.
Fushata, nisi me një shëtitje në sheshin “Nëna Tereza” në Prishtinë, ku janë përcjellë mesazhe për rëndësinë që ka vetëdijesimi në parandalimin dhe luftimin e sëmundjes së kancerit.
Masa është prirë nga ambasadorja Kaidanoë të cilës i janë bashkuar edhe ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, kryetari i Komunës së Prishtinës Isa Mustafa, zyrtarë të tjerë të ambasadës amerikane si dhe organizata joqeveritare dhe qytetarë të Prishtinës. Fushata një mujore e luftës kundër kancerit të gjirit, ka për qellim parandalimin e kësaj sëmundje vdekjeprurëse. Shumë femra kanë përfunduar më vdekje si pasojë e informimit të vonshëm për kancerin e gjirit.
Në hapje të fushatës, ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tina Kaidanoë, tha se “me këtë veprim po simbolizojmë rolin kritik të grave si dhe rëndësinë që do të ketë, nëse ato marrin me seriozitet shëndetin e tyre”. “Shpresoj se me një vëmendje të vazhdueshme kushtuar sëmundjes se tmerrshme të kancerit të gjirit, ne shumë shpejt do të arrijmë që kjo sëmundje nuk do të ketë fuqi të marr nënat tona, motrat, apo miket tona”, tha Kaidanoë.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, tha se zbulimi i hershem i kancerit është fitore ndaj kancerit. “Zbulimi i hershem i kancerit do të thotë se kanceri nuk është diagnozë me vdekje. Kanceri sot, nëse zbulohet me kohë, ne mundë ta ndihmojmë. Ne mund ta fitojmë luftën që individi mos të ketë dhimbjen dhe që familja mos të ketë vuajtjen dhe që rrethi i gjerë mos të pësojë”, ka thënë ministri Gashi.
“Angazhimi ynë kundër kësaj sëmundje ka vetëm një arsye, që t’i mbrojmë nënat dhe motrat tona”, u shpreh kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa.
Nga kanceri i gjirit në vendet e rajonit preket çdo e 9-a ose 10-ta grua gjatë jetës së saj, ndërsa vdekshmëria nga kjo sëmundje zë vendin e parë tek gratë.
(a.s/Balkanweb/RTK)