PDI: Duam një ministri dhe 2 zv/ministra
Partia për Drejtësi dhe Integrim ka bërë gati paketën me kërkesat e saj për negociatat e qeverisë së re me Partinë Demokratike. Kryetari i kësaj partie, Tahir Muhedini tha dje në një prononcim për mediat kjo forcë, e cila në zgjedhjet e 28 qershorit fitoi një deputet në qarkun e Vlorës do të kërkojë përfaqësim në nivel ministror, zv/ministra dhe ambasadorë. “Ne do të kërkojmë në bisedime postin e ministrit të Punës ose të Mjedisit, dy zv/ministra si dhe dy ambasadorë në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh dje Muhedini në një prononcim për mediat. Por në të njëjtën kohë Muhedini theksoi faktin se do të jetë pikërisht ai negociuesi i Partisë për Drejtësi dhe Integrim përballë kryeministrit Berisha në tryezën e bisedimeve, duke hedhur poshtë të gjitha aludimet, që negociatat do të bëhen me deputetin e PDI-së. Muhedini tha se negociatat bëhen mes kryetarëve të partive dhe jo mes individëve. “Marrëveshja nuk është bërë individuale, marrëveshja është bërë në mënyrë institucionale kur ka vendosur kryesia e partisë demokratike dhe negociuesi është doktor Berisha, ndërsa PDI ka vendosur që të jem unë negociuesi i kësaj aktmarrëveshje. Kështu që institucioni është PDI nuk janë individët. Nuk ka asnjë diskutim që negociatat do të jenë mes doktor Berishës dhe meje”, theksoi kreu i PDI-së. I akuzuar për marrjen e disa lejeve ndërtimi nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, kreu i PDI-së i hodhi poshtë të gjitha këto akuza, të cilat sipas tij janë të iniciuara nga deputeti i PS-së, Shpëtim Idrizi. “Zoti Idrizi i ka të gjitha mundësitë nëpërmjet Edi Ramës në bashkinë e Tiranës, në qoftë se Tahir Muhedini ka marrë një leje për pallat ose një leje për të bërë një mur që ditën kur ka ardhur Edi Rama si kryetar bashkie deri në datën 1 shtator unë po deklaroj publikisht që jap dorëheqjen si kryetar partie dhe nga të gjitha strukturat e partisë dhe bëhem një anëtar i thjeshtë”, theksoi Muhedini. Sipas tij “kjo është një lojë që vjen nga jashtë për ta dëmtuar partinë në një moment historik siç është ky moment për PDI, e cila nuk ka asnjë problem brenda kryesisë dhe as në bazë. Deputeti ynë me kalimin e ditëve meqë është pak emocional, do të përqendrohet dhe do të zbatojë platformën, programin dhe statutin e partisë”. Por pas qëndrimit të Muhedinit ka reaguar deputeti i vetëm i kësaj partie në Parlament, Dashamir Tahiri. I kontaktuar mbrëmë nga gazeta ai tha se nuk ka ndërmend t’i vendosë kushte Kryeministrit Berisha, duke u shprehur se zgjidhja e çështjes çame është më e rëndësishme për atë vetë. Në të njëjtën kohë Tahiri tha se do të jetë edhe ai në tryezën e bisedimeve me Berishën. “Unë nuk i vë kushte Kryeministrit Berisha. Kauza jonë është e rëndësishme. Nga ana ligjore duhet të jem unë në negociata. Pa mua nuk kanë ku shkojnë ata, por e përsëris prapë që për mua është parësore zgjidhja e çështjes çame. Unë do të respektoj gjithmonë Qeverinë Berisha”, theksoi Tahiri.