Berisha-Meta, sot takimi për qeverinë
ADI SHKEMBI
Partia Demokratike nis sot zyrtarisht bisedimet me partitë e koalicionit për formimin e Qeverisë së re, e cila do të votohet në Kuvend në javën e dytë të shtatorit. Ashtu siç edhe pritej forca e parë politike që do të ulet në tryezën e bisedimeve përballë PD-së, është Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila në zgjedhjet e 28 qershorit mori katër mandate parlamentare. Burime pranë dy partive bëjnë të ditur se takimi zyrtar do të zhvillohet ditën e sotme rreth orës 18.00 në ambientet e kryesisë së Kuvendit. Bisedimet pritet të zhvillohen mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të LSI-së, Ilir Meta.
Takimi
Negociatat e ditës së sotme vijnë pas kontakteve mes krerëve të dy forcave më të mëdha të koalicionit të djathtë të ditëve të fundit. Gjatë takimit që do të mbahet pak orë pas mbledhjes së Qeverisë do të diskutohen emrat e ministrive që do të përfaqësojë LSI në kabinetin e ri qeveritar, si dhe postet në nivelet e dyta dhe të treta. Burime pranë dy forcave politike bëjnë të ditur se LSI do të përfaqësohet në qeverinë e pas 28 qershorit me 3 kabinete ministrore dhe postin e zv/kryeministrit, ndërkohë që do të ketë edhe disa poste zv/ministrash si dhe drejtorë të rëndësishëm. Por veç ndarjes së posteve takimi i sotëm do të përqendrohet edhe në programin qeverisës si dhe propozimet e LSI-së për fusha të caktuara. Kjo forcë është shprehur e vendosur të implementojë në programin qeverisës pjesë të rëndësishme të programit të saj elektoral, siç është projektligji për “Moshën e Tretë”. Kreu i LSI-së Meta dhe Kryeministri Berisha konfirmuan në daljet e fundit para mediave se koalicioni mes tyre do të funksionojë, madje nuk nguruan të japin edhe parashikime optimiste për jetëgjatësinë e këtij koalicioni. “Kur flas për një qeverisje të qëndrueshme, kam parasysh një qeverisje dhe një koalicion që funksionon në radhë të parë në bazë të një programi të përbashkët politik dhe qeverisës dhe së dyti, kam parasysh që kjo maxhorancë do të konfirmohet shumë herë dhe më e fuqishme se sa rezultati i zgjedhjeve problematike të 28 qershorit, si rezultat i vetë kodit problematik dhe diskriminues, që për fat të keq u ideua dhe u ndërtua nga vetë kryetari në detyrë të PS-së z.Rama. Njëkohësisht që ky funksionim dhe ky afirmim i këtij koalicioni nuk do të jetë çudi të përsëritet me shumë sukses dhe në 2013”, u shpreh Meta. Ndërsa sipas Berishës “Unë mund t`u garantoj ju se shqiptarët më 28 qershor themeluan një nga koalicionet më të suksesshme dhe më efeciente që ata kanë njohur në tërë historinë e vendit. Zoti Meta sot bëri fjalë për 2013 unë mund t`ju garantoj edhe për 2021”, theksoi Berisha.