Arkeologët korrigjojnë: Tempulli i Artemisës, jo i Afërditës
Tempulli i zbuluar në Kodrën e Dautes në Durrës i përket Artemisës, hyjneshës së gjuetisë dhe jo asaj të dashurisë, Afërditës. Ndërkohë, në qytetin e Durrësit është zbuluar dhe punishtja e cila shërbente për të prodhuar dhe tregtuar figurinat që i blatoheshin kësaj hyjnie nga banorët e qytetit të lashtë. Ajo ndodhej në një nga zonat më të populluara të Durrësit të sotëm, në rrugën "Aleksandër Goga". Misioni arkeologjik shqiptaro-francez, që prej disa vitesh është vendosur në Shqipëri duke dhënë kontribut në katër site të rëndësishme arkeologjike, ka bërë dje të ditur nga drejtuesit e tij, arkeologu Arthur Myler dhe Fatos Tartari, disa nga detajet e punës studimore. Përveç Durrësit, ky mision vijon punën në Sovjan të Korçës, në Bylis dhe Apoloni. Durrësi i shekujve IV-II para erës sonë ka qenë një qendër e madhe dhe e rëndësishme e prodhimit dhe tregtisë, në këtë kuadër tempulli i Artemisës dhe materiali i gjetur në të që nga viti 2002 e në vazhdim kanë sjellë të reja të rëndësishme për botën arkeologjike. Artemisioni i Dyrrahchionit ka dhënë sasinë më të madhe të figurinave prej balte të pjekur, më shumë se 1800 kg, që është zbuluar deri më tani në një sit të vetëm arkeologjik në të gjitha qendrat e njohura të botës mesdhetare. Korrigjimi dhe plotësimi i topografisë së Durrësit të lashtë nëpërmjet përcaktimit të saktë kohor të përdorimit të tempullit shton vlerat arkeologjike dhe historike të qytetit, si dhe tërheqjen turistike. Gjatë këtij sezoni turistik pritet të botohet dhe albumi me emrin e Artemisës në versionin frëngjisht, ndërsa do të vazhdojë dhe studimi i koleksionit të monedhave të gjetura, rreth 600 copë, si dhe të tjera veprimtari për dokumentimin dhe klasifikimin e materialit qeramikë.