E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjeku neurolog pushohet nga puna për marrje ryshfeti

Ministria e Shëndetësisë largon nga detyra mjekun neurolog të spitalit të Pogradecit, Llazi Binishi, i cili për firmosjen e një raporti për Kemp mori 15 000 lekë. Lajmin e konfirmoi dje për Fiks fare drejtori i spitalit të Pogradecit, Artan Pilinci.

Menjëherë pas transmetimit të pamjeve në Fiks fare, ku mjeku Binishi dhe infermieri i tij merrnin lekë për të përpiluar dhe firmosur një raport për KEMP, për një fëmijë tetraplegjik 13 vjeçar, drejtori i spitalit të Pogradecit ka lëshuar urdhërin e pezullimit nga detyra të këtyre dy punonjësve për shkelje të ligjit dhe të betimit të Hipokratit. Dje në mëngjes, drejtori i spitalit të Pogradecit është thirrur në Ministrinë e Shëndetësisë, ku është marrë vendimi për largimin nga puna të mjekut dhe infermierit. Nga ana tjetër, Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë ka filluar hetimin për veprimet e neurologut Llazi Binishi dhe infermierit të tij. Drejtori i spitalit të Pogradecit, i cili është njëkohësisht edhe kryetari i komisionit që miraton fletën e drejtimit për KEMP, konfirmoi dje se ky komision do të firmosë një tjetër raport për fëmijën 13 vjeçar E.Shahini, në mënyrë që ai të mos humbasë pensionin ushqimor. Dy ditë më parë Fiks fare denoncoi veprimet e mjekut Llazi Binishi, i cili firmosi raportin për një fëmijë 13 vjeçar nga fshati Senisht i Mokrës kundrejt pagesës nën dorë. Ishte babai i fëmijës, Bedri Shahini, i cili denoncoi në Fiks fare veprimet e mjekut Llazi Binishi, që sipas tij, nuk ia firmoste fletën e drejtimit për Kemp pa i dhënë lekët. Këtë pagesë ai e bënte çdo vit tek ky mjek, sa herë që i firmoste këtë dokument. Ky mjek, pasi mori lekët dhe firmosi raportin, kur gazetari i Fiks fare i kërkoi që t‘i kthente lekët fëmijës, grisi edhe raportin mjekësor, ndërkohë që ai raport përmbante dhe firmat e dy mjekëve të tjerë të komisionit.

Prokuroria e Pogradecit ka nisur hetimet ndaj mjekut neuropsikiatër Llazi Binishi, si dhe infermierit Eshref Krasta. Pas denoncimit publik të këtij rasti edhe pse në prokurorinë e rrethit të Pogradecit nuk është paraqitur një kallzim penal, organi i akuzës ka nisur hetimet ndaj mjekut dhe infermierit për veprën penale të mitmarrjes. Burime të prokurorisë thanë se do të shqyrtojnë dhe marrin nën hetim jo vetëm këtë rast, por edhe nëse ka patur abuzime të tjera nga ana e dy personave me pacientët që i drejtohen spitalit publik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›