E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis me Superkupë

Hysi dhe Besa do të hapin sezonin e ri në futbollin kosovar në përballjen e tyre të shtunën, në Mitrovicë, në ndeshjen e Superkupës së Kosovës. Optimizmi për fitore është i madh te dy skuadrat, të cilat synojnë që edicionin e ri ta nisin me trofe. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 13 gusht 2011 në ora 13:00

Sezoni i ri në futbollin kosovar do të nisë me ndeshjen e Superkupës së Kosovës ndërmjet kampionit, Hysit, dhe fituesit të Kupës, Besës, e cila zhvillohet të shtunën.

Llapjanët por edhe pejanët paralajmërojnë lojë të hapur të shtunën, prej orës 16:00, në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, nga i cili stadium të dy ekipet synojnë të dalin me trofeun e Superkupës.

Trajneri i Hysit, Fadil Ademi, është i vetëdijshëm se përballë do ta ketë një skuadër shumë të fortë, e cila vështirë mposhtet, por megjithëkëtë, është optimist se me sukses do t’iu kundërvihen pejanëve.

“Superkupa është trofeu i fundit i sezonit të kaluar, njëkohësisht i pari i edicionit të ri. Andaj, do të ishte shumë e rëndësishme për ne që sezonin e kaluar ta përmbyllim me trofe, njëherësh edicionin e ri ta nisim po ashtu me trofe. Jam optimist se do të dalim fitues, sepse gjithë fazën përgatitore e kemi zhvilluar duke e pasur në fokus Superkupën. Nëpërmjet një loje të mirë, besoj se do të vijë edhe rezultati pozitiv”, deklaroi Ademi për Express.

Mirëpo, Hysi do të jetë i hendikepuar në këtë takim, sepse Kastriot Rexha nuk do të ketë të drejtë të luajë ndaj pejanëve. Rexha ishte i huazuar nga KEK-u në Hys deri në fund të sezonit të kaluar. Por, klubet ende nuk kanë arritur marrëveshje, nëpërmjet së cilës sulmuesi do të mund të vazhdonte ta vishte fanellën bardhezi.

Në anën tjetër, trajneri i Besës, Valdet Shoshi paralajmëron se futbollistët pejanë do të luftojnë me të gjitha forcat për ta fituar edhe këtë trofe.

“Shpresoj që të jetë një ndeshje e mirë, siç duhet të jetë një finale. Hysi aplikon lojë kolektive, me varësi prej individëve siç është Zhdrella, Zabërxha, etj. Ata edhe sivjet do të jenë lojtarët kryesorë të Hysit. Kurse, ne aplikojmë lojë kolektive. Besoj se do të bëhet një lojë interesante”, tha Shoshi, i cili nuk do të mund të llogaritë në shërbimet e Florent Papuqit.

“Edhe pse na janë larguar pesë futbollistë prej edicionit të kaluar, po ashtu Papuqi nuk do të luajë për shkak të kartonëve, megjithatë jam optimist se sikur Kupën, ashtu edhe Superkupën do ta sjellim në Pejë”, përfundoi Shoshi.

Edicionin e kaluar, Hysi e përmbylli në vendin e parë të tabelës, me 73 pikë, duke u stolisur me titullin e kampionit. Kurse, Besa edicionin 2010/2011 e përfundoi në vendin e pestë me 43 pikë, por pati fituar Kupën e Kosovës në finale me Prishtinën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›