Bashkimi, punëtor i madh

Në futbollin danez, emri më i përfolur aktualisht është ai i sulmuesit shqiptar, Bashkim Kadri, i cili po shkëlqen me skuadrën nga ky vend, OB Odense.
Pas golave vendimtarë për skuadrën e tij në ligën daneze dhe Ligën e Kampionëve, të mërkurën 20-vjeçari debutoi edhe me përfaqësuesen A të Danimarkës, në ndeshjen miqësore kundër Skocisë.
Sipas atyre që e njohin, Bashkimi, me punë dhe përkushtim të madh ka arritur deri këtu ku është sot. Mesfushori shqiptar, Bajram Fetai i cili luan me ekipin danez, Lyngby, e njeh mirë Bashkimin, të cilin e kishte njohur që kur ishte pjesë e ekipit B.93 në vitin 2002.
“Ai ka disiplinë të madhe dhe është shumë i fortë mentalisht. Ai punon shumë, edhe unë jam njësoj, por dallimi është se ai e bën këtë në një moshë shumë të re. Unë e kam takuar atë duke stërvitur edhe në kohën e pushimit në shtëpinë e tij në Kopenhagë”, ka thënë reprezentuesi maqedonas për tipsbladet.dk.
Ai nuk është i vetmi dëshmitar i punës dhe përkushtimit të Bashkimit. Njëri nga ta është edhe Thomas Petersen, i cili ishte trajner i Bashkimit në ekipin nga liga e tretë daneze B.93
“Ai mund të qëndronte dhe të vazhdonte stërvitjet edhe pas përfundimit të seancave. Për shembull, ne kemi biseduar rreth asaj që ai dëshiron të përmirësonte goditjet nga distanca dhe stërvitej derisa e përmirësoi atë element. Ai dëshironte të bëhet më i rrezikshëm edhe nga goditjet e lira dhe i ushtroi ato. Ai merr kohë shtesë dhe punon shumë”, ka theksuar Petersen.
Detyra e ardhshme e madhe për Kadrin është ndeshja kualifikuese për Ligën e Kampionëve kundër Villarrealit, javën e ardhshme. Megjithatë, para kësaj atë e pret ndeshja e kampionatit danez, kundër Aalborgut.