Nis ndërtimi i kirurgjisë, projektohet lëvizja e poliklinikës së specialiteteve
18/12/2009 Flet Pjerin Xhuvani: Ndryshimet që do të ndodhin në qendrën spitalore
ELBASAN- Fillojnë punimet për spitalin kirurgjik të Elbasanit. 20 milionë lekë të reja do të shërbejnë për fazën fillestare të punimeve nga fondi total prej 3.5 miliardë lekësh që do të lëvrohen për godinën që do të përmbajë spitalin kirurgjik dhe maternitetin. Drejtori i Qendrës Spitalore, Pjerin Xhuvani, ka theksuar faktin se ka përfunduar projekti për rikonstruksionin e godinës së vjetër të spitalit kirurgjik, e cila është në plan të shfrytëzohet si poliklinikë për të spostuar ambulancën qendrore në qendrën spitalore. Në këtë projekt, sipas Xhuvanit, ka dy variante ai që poliklinika të vazhdojë të rrijë ku është pasi i shërben më mirë qytetarëve duke qenë në qendër dhe varianti tjetër është ai i godinës së rikonstruktuar që i grumbullon të gjitha shërbimet spitalore në një territor. “Të dyja kanë anët pozitive dhe negative, por sipas mendimit tim në rast se duam t’i shërbejmë qytetarëve atëherë do të duhet të qëndrojë ku është. Gjithsesi kjo mbetet një çështje që do të diskutohet, ndërsa presim të miratohet rikonstruksioni me fondet e vitit 2010”. Drejtori i spitaleve ka sqaruar edhe mosmarrëveshjen e përhershme universitet-qendër spitalore mbi spitalin infektiv në një godinë me Fakultetin e Infermierisë. “Unë mendoj se nuk është në dëmin e studentëve fakti që shërbimi ynë është në të njëjtën godinë, pasi ata janë duke mbaruar në fushën mjekësore ku do të kalojnë gjithë jetën e tyre. Dua t’ju them se nga ana jonë universiteti do të ketë më shumë hapësira. Ne jemi një qytet universitar dhe këtë duhet ta vlerësojmë shumë. Kemi në projekt që spitalin infektiv ta spostojmë në katin e pestë të pediatrikut, i cili kërkon një rikonstruksion dhe godinën do t’ia lemë universitetit. Unë nuk do të krijoj asnjëherë pengesa për zhvillimin e tij”. Xhuvani sqaron edhe funksionimin e sistemit të referimit. Ai tha se tashmë janë duke u bërë praktikë sportelet në poliklinikë dhe në spitalin patologjik. Brenda një kohe të shkurtër është duke u zgjidhur puna e personelit që to të gjendet nga organika e vetë spitaleve”. Poliklinika e specialiteteve do të ketë vetëm një derë për hyrjen e daljen dhe do të jetë nga ana e sportelit. Sporteli do të shërbejë edhe për kontrollin e orareve të mjekëve. Në fund drejtori spitaleve deklaroi edhe një herë se reformë do të ketë sidomos në përmirësimin e nivelit në pavijone. Kryeinfermierët dhe shefat e shërbimeve do të jenë të përzgjedhur për cilësitë e tyre dhe profesionalizmin dhe jo sepse kanë zënë një pozicion dhe do të duhet të mbajnë edhe kur nuk kanë as specializimin e duhur.