Kosovë, vazhdojnë reshjet e borës, ulen temperaturat
PRISHTINë- Gjatë natës së mbrëmshme në tërë vendin ka rënë borë, ndërsa temperaturat janë ulur deri në minus 8 gradë. Ndonëse është vështirësuar dukshëm qarkullimi i automjeteve, por të gjitha vendkalimet dhe rrugët janë të kalueshme. Nuk raportohet për aksidente të rënda në trafik. Edhe rrugët e kryeqytetit janë mirëmbajtur, është pastruar bora dhe është hedhur kripë nëpër rrugë. Gjatë dy tri ditëve të ardhshme meteorologët parashikojnë që reshjet e borës të vazhdojnë dhe temperaturat të deri në minus 14 gradë.Reshjet e borës e kanë vështirësuar trafikun në tërë vendin. Sipas zyrtarëve të Policisë së Kosovës, akset rrugore Pejë Rozhajë – Prishtinë-Podujevë dhe Prishtinë-Mudivodë janë të kalueshme me vështirësi, ndërkohë është liruar rruga që të çon në fshatin Krivovë, e cila ishte e pakalueshme nga bora. Policia e Kosovës apelon tek shoferët të përdorin zinxhirët dhe të respektojnë rregullat e trafikut.Kurse, Ministria e Transportit, nëpërmjet një komunikate, ka bërë publike se i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit. “Ekipet e kompanive përgjegjëse janë në terren të përgatitura me makineritë e nevojshme, për çdo ndërhyrje, me mbikqyrje 24 orëshe.”, thuhet në komunikatë. Ministria lut të gjithë shoferët, të cilët nuk i kanë pajisjet e nevojshme dimërore, të mos udhëtojnë pa zinxhirë, në mënyrë që të mos e rrezikojnë sigurinë e tyre personale dhe sigurinë e të tjerëve.(m.a/BalkanWeb)