Nis ndërtimi i shkollës “Hoxhë Kadri Prishtina”
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, me bashkëpunëtorë vuri gurin e themelit të objektit të ri të Shkollës së Mesme Ekonomiko-Juridike “Hoxhë Kadri Prishtina”, në Prishtinë. “Sot po fillojmë ndërtimin edhe të një objekti të ri shkollor, objekt i cili do të përmirësojë kushtet për mësim dhe do të ngritë cilësinë e mësimit”, tha Mustafa të dielën.
“Ky objekt i ri i shkollës ekonomike- juridike do të ketë diku rreth pesë mijë metra katrorë, në kuadër të së cilës do të jenë 22 dhoma mësimi, katër kabinete, bibliotekën, salla e edukatës fizike dhe objekte tjera përcjellëse. Do të jetë një shkollë e kompletuar dhe do të ofrojë kushte shumë më të mira sesa që ka ofruar objekti i tanishëm i shkollës, sepse kemi konsideruar që është objekt shumë i vjetër, i pasigurt për nxënës dhe, po ashtu, nuk ka ofruar kushte të mira që të zhvillohet puna praktike”, theksoi ai.
Sipas Mustafës, ndërtimi i objektit të ri të Shkollës së Mesme Ekonomiko-Juridike “Hoxhë Kadri Prishtina”, buxhetit të Komunës së Prishtinës do t’i kushtojë 1 milion e 400 mijë euro.
Ndërkaq, objekti do të jetë i gatshëm për mësim në shtatorin e vitit të ardhshëm. Punët ndërtimore me tender i janë besuar kompanisë “Rexha”.