SHBA-të nuk qëndronin pas aksionit të Prishtinës
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Mary Warlick ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë vetë aksionin për dërgimin e forcave policore në veri të Kosovës dhe jo në koordinim me komunitetin ndërkombëtar, e as me SHBA-të.
“Ai vendim është marrë vetëm nga ana e Prishtinës dhe SHBA-të shprehin keqardhje për krejt atë që ka ndodhur në javën e kaluar në Kosovë”, ka thënë Warlick në një intervistë për të përditshmen “Press”.
Komentet e ambasadores vijnë dy ditë pasi që presidenti serb Boris Tadiq akuzoi ambasadorin amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, se qëndron pas aksionit të Prishtinës.
Warlick ka thënë se SHBA-të i bëjnë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme, e cila mundëson lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.
E pyetur për rolin e KFOR-it dhe EULEX-it, ajo ka thënë se që të dy institucionet kanë mandate të fuqishme në Kosovë dhe se synim kanë ofrimin e paqes, stabilitetit dhe sundimin e ligjit.
E pyetur për vazhdimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, Warlick ka thënë se edhe më tej mbetet optimiste, me gjithë çastet e vështira të ditëve te fundit.
“Në plan afatgjatë është në interes të Serbisë që të gjejë një modus për themelimin e raporteve me Kosovën. Nuk shoh se cilido në BE flet se kjo çështje duhet të zgjidhet nesër, apo për disa muaj”, ka thënë Warlick.