E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX: Nuk ngutemi për arrestimet

Prishtinë Zëdhënësja e misionit të BE-së shpjegon se denoncimet janë marrë nga qytetarët

Prokurorët e EULEX-it nuk janë duke u shqetësuar për kohën se kur do të bëjnë arrestimet e para në raport me hetimet për korrupsion dhe krim të organizuar në të gjithë territorin e Kosovës. Zyrtarët e këtij misioni janë të kënaqur me mënyrën se si u kanë shkuar punët deri tani dhe këtë konstatim ata nuk ngurrojnë që ta thonë edhe publikisht. Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, ka ripërsëritur për “Kohën ditore” se hetimet e gjithanshme, edhe ai për rastin Limaj, kërkojnë kohë, mirëpo misioni është duke u ndier rehat, ngase rezultatet po e dëshmojnë punën dhe ritmin e mirë të këtyre hetimeve. Ajo që mund të themi është se ky hetim po vazhdon me një ritëm të mirë dhe rezultatet do ta dëshmojnë. Ne gjithmonë e kemi thënë se këto hetime të komplikuara kanë nevojë për kohë, por mund të them se ajo që e kemi parë gjatë javëve të fundit tregon se ne kemi qenë të sinqertë në qasjen tonë dhe ky është vetëm fillimi i ngritjes së aktivitetit të EULEX-it për luftimin e korrupsionit”, ka thënë Limdal.

Ndonëse në urdhrin për bastisjet, në rastin Limaj të bëra javë më parë, EULEX-i bazohet vetëm në dëshminë e një biznesmeni tashmë të vdekur, Mehmet Shkodra, zyrtarë të EULEX-it kanë mohuar mundësinë që ky person të jetë dëshmia dhe prova e vetme që ka EULEX-i në raport me rastin Limaj, ashtu siç janë akuzuar publikisht edhe nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi. “Prokuroria ka disa burime të ndryshme të informimit për rastin Limaj, së bashku me provat e mbledhura gjatë hetimeve. Të gjitha këto po i ndihmojnë prokurorisë rreth vlerësimit të dyshimeve për pastrim parash, krim të organizuar, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, mashtrim në detyrë dhe marrje të ryshfetit. Ky është një hetim që po vazhdon dhe do të ishte e padrejtë që të paragjykohet rezultati i hetimeve, pasi një gjë e tillë do të dëmtonte edhe vetë hetimet”, ka thënë Limdal. Dëshmia e të ndjerit Mehmet Shkodra, pronarit të kompanisë “Inter Europa”, e cila është publikuar në urdhrin për bastisjen e disa institucioneve, jep dyshime për akuzën për kërkim të ryshfetit. Në këtë dëshmi i ndjeri ka thënë se dy të dyshuarit kryesorë në rastin e Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, ministri Fatmir Limaj dhe shefi i prokurimit Nexhat Krasniqi, kanë kërkuar ryshfet nga fituesit e të paktën gjashtë tenderëve në Kosovë. Shkodra ka dhënë disa dëshmi te EULEX-i në maj të vitit 2009, ku ka thënë se është njohur personalisht me ministrin Limaj, nga i cili madje edhe kishte marrë premtimin për marrjen e një tenderi pa procedura tenderuese. Mirëpo, sipas dëshmisë, del që ministri Limaj nëpërmjet shefit të prokurimit Nexhat Krasniqi, i kishte kërkuar dëshmitarit Mehmet Shkodra pagesën e parave që kapin vlerën prej 10 deri në 13 për qind të shumës së përgjithshme të tenderit të premtuar. Shkodra nuk kishte pranuar që të paguajë paratë dhe si pasojë kompania e tij kurrë nuk kishte mundur të fitonte asnjë tender. Dëshmia e Shkodrës nuk jep prova edhe për katër akuzat e tjera me të cilat ngarkohen Limaj e Krasniqi. Ata, pos ryshfetit, dyshohen edhe për pastrim parash, krim të organizuar, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës dhe mashtrim në detyrë. Prokurorët e EULEX-it në nivel të qarkut janë të përfshirë në 50 raste, të cilat kanë të bëjnë me korrupsionin. Prokuroria speciale gjithsej i ka 190 raste, 38 nga të cilat kanë të bëjnë me korrupsionin. Misioni i BE-së ka bërë të ditur se arrestimet e paralajmëruara do të shtrihen edhe në veri të Kosovës, ku ka disa persona që po hetohen për krim të organizuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›