Nis pastrimi i detit nga eksplozivi
VLORË - Pas operacionit "Plazhe të pastra", prej disa ditësh një tjetër operacion ka nisur për pastrimin e detit nga sasitë e eksplozivit, por këtë herë jo vetëm nga forcat ushtarake shqiptare, por së bashku me një prej vendeve të NATO-s në kuadër të misionit të parë pas anëtarësimit në të.
Ka qenë Qendra Polumbare e Forcave Detare të Mbretërisë së Bashkuar, e cila në bashkëpunim me forcat tona të armatosura ka nisur operacionin e koduar "Albania Lion 09" ku do të bëhet identifikimi dhe pastrimi i të gjitha zonave ku gjenden sasi lëndësh eksplozive të rrezikshme nënujore, të cilat janë të mbartura që prej luftës së parë apo të hedhura pas vitit 1997.
Në këtë aktivitet do të përfshihet edhe një stërvitje e përbashkët mes dy palëve në gadishullin e Karaburunit, si dhe në ishullin e Sazanit. Gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni, mes dy vendeve, që është klasifikuar si më i rëndësishmi për shkak se është bashkëpunimi i parë që po kryhet me vendin anëtar të NATO-s, si dhe me pastrimin e hapësirave detare, do ta kthejë gjirin e Vlorës më të sigurt për turizmin.
Pala holandeze ka zhvilluar një konferencë shtypi në anijen "Roterdam", e cila ka shërbyer si platformë për marinsat holandezë dhe forcat speciale për kryerjen e këtij operacioni. Ajo do të shërbejë dhe për stërvitjen që do të kryhet në ishullin e Sazanit dhe gadishullin e Karaburunit të forcave shqiptare me ato holandeze.
Sipas Artur Meçollarit, kapitenit të rangut të parë, i cili është një prej drejtuesve të misionit, operacioni i përbashkët i koduar EOD (asgjësim i municioneve detare) është vijim i operacioneve "Plazhet e Pastra 2009" e zhvilluar një vit më parë nga Flotilia Detare Jugore. A.Peçi