E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli në Kuçovë, administrata ndërpret punën

KUÇOVË - Vizita e kryeparlamentares Jozefina Topalli në qytetin e Kuçovës ka bërë që të gjitha shkollat e mesme e 9-vjeçare të qyteteve Berat e Kuçovë të zhvillojnë vetëm 3 orë mësim dhe qendrat shëndetësore e pjesa më e madhe e institucioneve shtetërore të pezullojnë punën para orës 12:00 të drekës, orë që shënonte edhe momentin e mbërritjes në Kuçovë të znj.

Topalli. Fakti është që në Berat, Prefektura me gjithë administratën nuk punuan fare, ndërsa nxënës e mësues nga Berati udhëtuan me mjete në dispozicion për në takimin e kryeparlamentares. Këtë gjë e pohojnë shumë nxënës e mësues.

Mes atyre që kanë udhëtuar për në Kuçovë ka pasur edhe mjekë e punonjës të ndërmarrjeve pyjore, bujqësore e institucioneve publike që janë në varësi të qeverisë, çka ka bërë që shumë të sëmurë të kthehen mbrapsht për faktin se nuk kanë gjetur asnjë mjek në shërbim.

Takimi u zhvillua në fushën e sportit dhe kryeparlamentarja Topalli falënderoi gratë dhe vajzat për pritjen e ngrohtë. "Duke qëndruar së bashku është progresi, duke punuar së bashku është suksesi" ishte slogani me të cilin Topalli iu drejtua të pranishmëve, shumica pjesë e administratës së pushtetit.

Ndërkohë, për këtë takim ka reaguar deputeti i Beratit Erion Braçe, i cili e ka cilësuar këtë veprim si një shpërdorim që i bëhet pushtetit, shpërdorim që u bëhet qytetarëve, grave dhe fëmijëve.

Sipas Braçes drejtuesit e institucioneve me në krye prefektin e qarkut kanë urdhëruar dhe detyruar punonjësit që të marrin pjesë në takimin e zonjës Topalli, gjë që, po sipas tij, është në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë.

"Çdo fëmijë ka të drejtë të jetë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi, shfrytëzimi dhe nga përdorimi pa fund i tyre, veçanërisht nën moshën minimale për punën e fëmijëve, që mund të dëmtojnë shëndetin, moralin ose të rrezikojnë jetën dhe zhvillimin e tij normal", theksoi Braçe duke e cilësuar detyrimin e fëmijëve për të ndjekur vizitën e kryeparlamentares, si dhunë mbi ta.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›