Nis pranimi i patentave shqiptare në Itali
Ministria italiane e Transportit, përfundon faza e parë e zbatimit të marrëveshjes
Konvertimi i lejeve të drejtimit të qytetarëve shqiptarë dhe italianë, në dy vendet përkatëse, ka nisur zyrtarisht të përdoret në fillim të kësaj jave. Marrëveshja e nënshkruar në gusht të vitit 2009 mes dy vendeve ka nisur nga zbatimi të hënën, pas përfundimit të procedurave dhe ngritjes së infrastrukturës që bën të mundur konvertimin. Ministria italiane e Transportit lajmëron se autoritetet përgjegjëse italiane kanë përfunduar fazën e parë të aplikimit të marrëveshjes ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, për konvertimin reciprok të lejeve të drejtimit, të hyrë në fuqi më 15 gusht 2009, - bën të ditur versioni shqip i faqes zyrtare të Bashkisë së Torinos në Itali. Njoftimi bën të ditur se për patentat e tipit Card, pra për patentat e reja kërkesa për vlefshmërinë dhe origjinalitetin e patentave shqiptare do të bëhet... duke shkëmbyer informacionin ndërmjet autoriteteve si dhe duke përdorur formularët e parashikuar të Attestazione. Certifikata e origjinalitetit dhe e vlefshmërisë do të kërkohet vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe në raste veçanërisht të ndërlikuara, - bën të ditur njoftimi i Ministrisë së Transportit. Për sa i përket patentat e tipit Letër, pra patentat e vjetra, do të jetë gjithnjë e domosdoshme Certifikata e origjinalitetit dhe vlefshmërisë. Pra, vetëm qytetarët shqiptarë që kanë një patentë të vjetër, e kanë të nevojshme të kërkojnë Certifikatën e origjinalitetit dhe vlefshmërisë të lejes së drejtimit, për të cilën kërkohet një noterizim konsullor, - bën të ditur njoftimi i Ministrisë së Transportit të Italisë.