30 % e emigrantëve shqiptarë në Greqi mendojnë të kthehen
Gazeta Tribuna, publikoi një kërkim, sipas të cilit, një në tre emigrantë mendojnë mundësinë e rikthimit
Një ndër dy gazetat e vetme shqiptare në Athinë, Tribuna, ka publikuar në numrin e saj të djeshëm një kërkim të vetin, sipas të cilit, një në tre emigrantë shqiptarë në Greqi mendojnë mundësinë e kthimit në atdhe, si një mundësi e afërt. Kriza e financave publike që ka mbërthyer Greqinë, duket se pak nga pak po ndihet edhe në ekonominë reale, duke bërë që emigrantët të jenë të parët e pakënaqur nga kjo situatë. Kriza e rëndë ekonomike që po kalon Greqia, ka përfshirë edhe emigrantët e huaj që punojnë prej shumë vitesh në token helene, ku më të prekurit janë emigrantët shqiptarë, që përbëjnë rreth 65% të gjithë emigracionit në Greqi. Shumica e emigrantëve shqiptarë kanë punuar nëpër vendet më të vështira të punës, si në ndërtim, bujqësi e gjetkë. Ndërsa sot, sipas prononcimeve të tyre, rrezikohet që mbi 30% të kthehen në Shqipëri, si rezultat i papunësisë, - shkruante në numrin e djeshëm gazeta Tribuna. E në fakt, i vetmi studim real i kryer në lidhje me këtë çështje, dy vjet më parë, tregonte se dëshira e emigrantëve ishte rikthimi në atdhe, në një të ardhme të papërcaktuar. Kriza greke duket se e ka përshpejtuar këtë kohë, të paktën në pritshmërinë e bashkëkombësve tanë që jetojnë në vendin fqinj. Marie Selmanaj prej disa vitesh jeton në Pire. E zhgënjyer nga kriza, ajo thotë se nëse kjo situatë nuk përmirësohet, do të kthehet në atdhe. Kur dëgjuam për krizën, thamë se po bënin shaka, por tani kemi filluar ta ndiejmë me të vërtetë se çfarë qenka kriza. Le që na lanë pa punë, por po harxhojmë edhe ata pak lekë që kishim grumbulluar gjatë këtyre viteve. Po nuk u zgjidh, do të ikim në Shqipëri, të paktën nuk paguajmë qira shtëpie. Këtu vetëm po harxhojmë duke paguar, - kishte deklaruar ajo për gazetën Tribuna. Disa prej tyre kanë përzgjedhur rrugën e rikthimit. Mariana Tusha, një shqiptare që jeton në ishullin e Rodosit, thotë: Isha për vizitë te ca miq të mi nga Saranda. Më thanë se do të ikim për Shqipëri, se jemi të dy pa punë. Edhe vendasit kanë filluar të largojnë nga puna shqiptarë që të fusin në punë njerëzit e tyre të afërm. Në intervistat e botuara në gazetën e shqiptarëve të Greqisë, duket se edhe një tjetër problem i shqetëson bashkatdhetarët tanë. Nëse kthehen në Shqipëri, çfarë do ti presë? Rreziku është se ka mundësi të rikthehemi në vendin tonë, ku edha atje mund të na quajnë si emigrantë të huaj, - thotë Dardan Osmanaj, i cili jeton në Athinë. Qeveria shqiptare u ka bërë thirrje emigrantëve të kthehen e të investojnë në Shqipëri dhe ka siguruar se barra fiskale për ta do të jetë më e ulët, por për Marianën e për shumë të tjerë akoma kjo përbën frikë. Nuk është krijuar ai besim, - thotë ajo. Ndër të pyeturit nga gazeta Tribuna ka edhe optimistë për rikthimin në atdhe. Florjan Hysi, banor i Athinës, thotë: U bë për të ikur natën, bile mendoj se momentalisht do të jetë më mirë në Shqipëri, sesa të rrimë këtu, duke harxhuar lekë nga kursimet tona që i kemi siguruar gjatë viteve të kaluara. Në të gjitha vitet e emigracionit shqiptar, vetëm në vitet 1995-1996 u vërejt një periudhë rikthimi i emigrantëve, por shumë shpejt, me ngjarjet e vitit 1997, eksodi u bë edhe më i madh. Dëshira e emigrantëve shqiptarë për t`u rikthyer duket se është më e fortë nga çka perceptohet. Në të vetmin studim që është kryer në lidhje me këtë çështje, vetëm 8 për qind e emigrantëve janë shprehur se nuk do të kthehen në Shqipëri. Ky studim i kryer përpara dy vitesh nga shoqata Shpresë për të Ardhmen tregon se 8 për qind e popullsisë janë të gatshëm të kthehen në atdhe me rastin e parë të mundshëm, 28 për qind parapëlqejnë që të ardhmen e tyre ta shohin në bazë të mundësive, 6 për qind vendosin të holla mënjanë për t`u rikthyer, ndërsa pjesa tjetër pret përmirësimin e kushteve në Shqipëri, për të rinisur jetën këtu. Duke folur për këtë çështje për gazetën standard pak kohë më parë, drejtorja ekzekutive e shoqatës, znj. Irena Dono, kishte paralajmëruar se duhet të presim rikthim më të madh emigrantësh nga sa ka ndodhur vitet e fundit. Rritja e papunësisë në vendet pritëse e bën shtysën e vetme që kanë emigrantët për të ndenjur jashtë Shqipërisë të venitet. E ndërthurur kjo edhe me krizën e financave publike, që dalëngadalë po ndihet edhe në ekonominë reale të Greqisë, zgjidhja më e lehtë duket se është rikthimi ose emigrimi në një vend tjetër të BE-së për ata që do të kenë mundësi