Topi rikthen humorin, si nder i kombit
Presidenti Bamir Topi
Gjosho Vasija dhe Gëzim Kruja u dekoruan me urdhrin "Mjeshtra të Mëdhenj"
Javë dekorimesh ishte kjo për Presidencën e Republikës së Shqipërisë. Pas "Nderit të Kombit" post mortum për të madhin Sandër Prosi, ishte radha e dy artistëve shkodranë të humorit për t'u vlerësuar nga presidenti Bamir Topi. Gjosho Vasija dhe Gëzim Kruja u dekoruan me urdhrin "Mjeshtra të Mëdhenj", urdhër i lartë ky që i jepet figurave të artit. Të emocionuar, ata falënderuan sipas mënyrës së tyre, me batuta: "Fjalët i merr era, dokumentit i vjen era. Kjo erë është djersa ime pesëdhjetë e dyvjeçare", - u shpreh humoristi Kruja. "Gjashtëdhjetë vjet që kam dhënë në skenë jam munduar që ti mbush shpirtin me gaz popullit që e kishte barkun bosh. Populli kishte dashur të na jepte gjithçka, shteti nuk dha asgjë për këtë popull. Erdhi koha dhe ne sot kemi një parfum, parfum lirie, parfum demokracie dhe një falënderim të fuqishëm Presidentit të madh, zotit Bamir Topi", - u shpreh Vasija. Gjosho Vasija është një autor i humorit me një eksperiencë rreth 60-vjeçare. Kurse Gëzim Kruja, me eksperiencë rreth 50-vjeçare.