E Diel, 1 Nëntor 2026

Pëllumbi: Ramiz Alia një politikan kontradiktor

10/10/2011  Përcillet për në banesën e fundit ish-udhëheqësi i fundit i regjimit komunist

Në ceremoni të pranishëm Nano, Meta e Ruçi. Mungojnë Topi, Berisha e Rama

Herion Mesi

Ish-udhëheqësi i fundit i regjimit komunist në Shqipëri, Ramiz Alia u përcoll dje për në banesën e fundit. Pavarësisht debatit mbi rolin e tij në krye të shtetit shqiptar, ku për disa ai do të mbetet në histori si diktatori i fundit dhe për disa të tjerë presidenti i parë i pluralizmit politik, Alisë iu rezervua një ceremoni prej ish-presidenti.

Të pranishmit

Në funeralin e Ramiz Alisë ishin dje të pranishëm politikanë, historianë, si dhe personalitete të tjera publike të vendit. Në homazhet për ish-sekretarin e parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, përveç familjarëve dhe njerëzve të afërt të tij, nuk do të mungonte kurora e Presidentit Topi, por as prania e të parit kryeministër të pluralizmit në kohën e presidiumit të tij, Fatos Nanos, dhe ish-kryeparlamentarit Servet Pëllumbi. I vetmi përfaqësues i mazhorancës në homazhet e mbajtura tek ish-Shtëpia e Ushtrisë, ishte kreu i LSI-së, Ilir Meta. Ndërsa Partia Socialiste u përfaqësua me ish-ministrin e Punëve të Brendshme në kohën drejtimit të Alisë, njëkohësisht kryetar i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, si dhe me nënkryetarin e parlamentit, Namik Dokle. Në një prononcim pas kryerjes së homazheve ish-kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi e vlerësoi figurën e Ramiz Alisë si një figurë kontradiktore. “Ramiz Alia do të mbahet mend njëherësh si presidenti ish-komunist dhe si presidenti i parë pluralist”, tha Pëllumbi. Ndërsa dy ish-kryeministrat, Fatos Nano dhe Ilir Meta, kanë mbërritur thuajse në të njëjtin moment në mjediset e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, për të zhvilluar homazhe pranë trupit të pajetë të ish-presidentit Alia, duke e nderuar atë përpara përcjelljes për në banesën e fundit. Por ndryshe nga ish-ministri i Brendshëm Gramoz Ruçi, në kohën kur Ramiz Alia ishte president, dy ish-kryeministrat socialistë dhanë edhe nga një mesazh të shkurtër për mediat, duke nderuar kujtimin e ish-presidentit komunist si një nga protagonistët e Luftës Antifashiste dhe historisë së pasluftës së Shqipërisë.

Ceremonia

Ashtu siç ishte parashikuar në Protokollin e Shtetit, homazhet e djeshme për vdekjen e ish-udhëheqësit të fundit të regjimit komunist dhe ish-presidentin e parë pluralist pas viteve ‘90, Ramiz Alia u zhvilluan në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë. Ceremonia nisi rreth orës 10:00 dhe zgjati për rreth një orë, e më pas trupi i pajetë i Ramiz Alisë u përcoll drejt varrezave të Sharrës. Ceremonisë zyrtare për homazhet në nder të ish-diktatorit Alia i kanë munguar Presidenti Topi, Kryeministri Berisha dhe lideri i opozitës Edi Rama. Ish-udhëheqësi i fundit komunist, Ramiz Alia ndërroi jetë të premten e kaluar, në moshën 86-vjeçare, mëngjesin e datës 7 tetor, si pasojë e disa sëmundjeve kronike. Vonesat për varrimin e Ramiz Alisë u kushtëzuan nga ardhja e dy fëmijëve të tij që jetojnë jashtë shtetit.

Fatos Nano

Ish-lideri historik i Partisë Socialiste, Fatos Nano, e ka quajtur dje Ramiz Alinë protagonist të një epoke, duke vlerësuar kontributin e tij për luftën antifashiste. “Ky homazh është në respekt të një epoke historike, e cila ka edhe protagonistët e saj. Shpreh respekt për kontributin e tij në Luftën Nacionalçlirimtare dhe në rindërtimin e vendit pas saj. Shpreh respekt për kontributin e tij në etapa të ndryshme, deri në institucionalizimin e shtetit pluralist”, tha dje Nano, në prononcimin e tij për mediat.

Ilir Meta

Ish-zëvendëskryeministri dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, theksoi dje se nderimin më të mirë për çdo figurë politike e bën historia. “Dua të vlerësoj figurën e zotit Alia si një figurë e shquar e Luftës Antifashiste, dhe për përpjekjet e tij për të mirëkuptuar aq sa mundej pluralizmin politik. Në fund të fundit është presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste, i pari personalitet politik që dha dorëheqjen pasi partia e tij humbi zgjedhjet”, deklaroi dje Meta për mediat.

Servet Pëllumbi

Ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi, pas ceremonisë e vlerësoi figurën e Ramiz Alisë si një figurë kontradiktore. “Presidenti i parë i periudhës demokratike dhe i fundit i periudhës komuniste. Vetë kjo flet për karakterin kontradiktor të vetë figurës së Ramiz Alisë. Megjithatë, meriton respektin si njeriu që mbyll jetën”, tha Servet Pëllumbi.

Pëllumb Xhufi

Ndërsa historiani Pëllumb Xhufi theksoi se “Ramiz Alia përfaqësonte një figurë komplekse dhe tolerante, që gjeti mënyrën më të mirë për të komunikuar në regjimin më të egër komunist. Sot është dita për të folur vetëm mirë, dhe për presidentin Alia ka vend shumë për të folur dhe mirë, sepse ka qenë një njeri i thjeshtë, intelektual, një njeri i cili është munduar edhe në kushtet e sistemit, brenda kuadrit që lejonte sistemi, të sjellë një frymëmarrje liberale”.

Rivlerësimi i historisë mbi periudhën e komunizmit

Fisher: Jeni vonë me ligjin e lustracionit

Historiani amerikan Bernd Fischer, në një intervistë për mediat shqiptare theksoi se në 20 vjet pluralizëm Shqipëria ka bërë një progres të madh. Fisher, duke iu referuar periudhës së komunizmit në Shqipëri u shpreh i mendimit se është i nevojshëm një rishikim i historisë. Sipas historianit, politika shqiptare është vonuar shumë në miratimin e ligjit të lustracionit, ku theksoi se duhet të bëhet një rivlerësim për periudhën e komunizmit dhe sipas tij, persona të caktuar duhet të shpallen përgjegjës. Fisher, mungesën e ligjit të lustracionit e lidh me mosfunksionalitetin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë. “Disa nga ligjet e lustracionit të vërejtura në disa nga vendet e Evropës Lindore, ndoshta nuk janë aq të përdorshme sa duhet të ishin. Mendoj se prioritet i Shqipërisë është marrja e masave për funksionimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Kur këto të jenë arritur, atëherë mund të merreni me çështje të tjera. Ligji i lustracionit, pa një shtet të mirëfilltë të së drejtës, ka potencialin për të pasur keqpërdorime serioze. Mendoj se është e nevojshme të bëhet një rivlerësim i asaj periudhe të veçantë dhe persona të caktuar duhet të shpallen përgjegjës, por mendoj se nuk ka ardhur ende koha për këtë gjë. Por kjo të bëhet në të ardhmen”, u shpreh dje historiani Bernd Fischer.

Reagon Qendra e Kujtesës për homazhet e djeshme të Alisë

“Shqiptarët varrosin ish-diktatorin, politikanët nderojnë ish-presidentin”

Homazhet e zhvilluara dje në nder të figurës së Ramiz Alisë kanë ngjallur dhe pakënaqësinë e shoqatave të të ish-të dënuarve nga regjimi komunist. Në një deklaratë të shpërndarë dje për mediat, Qendra e Kujtesës, duke iu referuar ceremonisë së rezervuar nga Protokolli i Shtetit, i bën thirrje politikës, historianëve dhe medias që “të mos korrektojnë figurën e atij që e mbajti vendin larg vlerave humane njerëzore, dhe ta përcjellim për në banesën e fundit si ish-diktator.” QK-ja thekson se “Ramiz Alia drejtoi vendin 5 vite (1985-90) si diktator dhe 40 vjet si sekretari ideologjik i Partisë së Punës, pra njeriu numër 3 i diktaturës, pas Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos. Në mënyrë të pakuptimtë ditën e vdekjes ai përcillet në banesën e fundit si ish-president, pozicion i fituar në rrethana shumë kontradiktore, dhe që i atribuohet më shumë instinktit të tij për mbijetesë duke lëshuar pushtetin. Kemi qenë dëshmitarë të vdekjeve të shumë diktatorëve dhe njerëzve me format të ngjashëm politik si Ramiz Alia, dhe shoqëritë e tyre i kanë shfrytëzuar këto momente si momente retrospektive, ku çdo pjesëtar i shoqërisë njihet me veprën reale të këtyre diktatorëve, duke i dhënë mundësinë ta dënojnë atë”, thekson QK-ja në deklaratën e saj, ku në përfundim ajo e akuzon Ramiz Alinë për disa ngjarje të ndodhura gjatë periudhës së tij si udhëheqës, si dhe për rolin e tij në Masakrën e Tivarit, ku u ekzekutuan mbi 4000 shqiptarë nga regjimi komunist.

Presidenti Topi vizitë treditore në Turqi

Me ftesë të homologut të tij turk Abdullah Gyl, Presidenti Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, është nisur dje për në Republikën e Turqisë, ku do të zhvillojë një vizitë zyrtare treditore. Në njoftimin e zyrës e shtypit të Presidencës, theksohet se në delegacionin zyrtar që shoqëron kreun e shtetit do të jenë të pranishëm dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Selim Belortaja dhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka. Gjatë kësaj vizite zyrtare, Topi do të pritet me nderime shtetërore dhe do të zhvillojë bisedime me drejtuesit më të lartë të shtetit turk, Presidentin e vendit Abdullah Gyl, me të cilin do të mbajë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp; Kryeministrin Rexhep Tajip Erdoan, Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek. Axhenda e Presidentit Topi parashikon gjithashtu dhe pjesëmarrjen e tij në Mbledhjen e Këshillit të Biznesit turko-shqiptar, ku kryetari i shtetit shqiptar pritet të mbajë fjalën përshëndetëse. Në përmbyllje të vizitës, Presidenti Topi do të zhvillojë një takim dhe me përfaqësues të bashkësisë shqiptare në Turqi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›