E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis projekti për mbrojtjen e iso-polifonisë popullore

Do të prezantohet në Përmet ngritja e Odave të iso-polifonisë. Odat polifonike do të ngrihen në Vlorë, Gjirokastër, Korçë e Përmet

Ditën e hënë, më 31 mars, do të bëhet prezantimi i fillimit të zbatimit të projektit “Për ruajtjen dhe mbrojtjen e iso-polifonisë popullore shqiptare”, një projekt i përbashkët i iniciuar nga Këshilli i Muzikës Shqiptare, anëtar i IMC/UNESCO me mbështetjen e Zyrës së UNESCO-s në Venecia, përmes financimit të grantit të qeverisë së Japonisë. Ky projekt përbëhet nga katër miniprojekte. Si hap i parë, në qytetin e Përmetit, më datë 31 mars bëhet prezantimi i “Ngritjes së Odave të iso-polifonisë shqiptare në qytetet e Përmetit, Korçës, Vlorës dhe Gjirokastrës”, me qëllim që të nxitet transmetimi i iso-polifonisë te brezat më të rinj. Në këtë aktivitet, që do të zhvillohet në qytetin e Përmetit më 31 mars, do të prezantohet ngritja e Odave të iso-polifonisë, qëllimi i tyre si dhe objektivat që priten të arrihen përmes transmetimit të iso-polifonisë te fëmijët. Në të marrin pjesë mjeshtrit e Odave nga të gjitha qytetet, ku këto Oda do të ngrihen, fëmijë dhe prindër si dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Odat drejtohen nga menaxherë të njohur për vlerat e tyre intelektuale në këtë fushë, si: kompozitori Josif Minga, Korçë, z. Niko Mihali, president i Seksionit Shqiptar të CIOFF-it, Përmet, z. Stefan Arseni, menaxher dhe intelektual i shquar i trashëgimisë kulturore, Gjirokastër dhe z. Sejmen Gjokoli, kryetar i Grupeve dhe Shoqatave të Iso-Polifonisë, Vlorë. Po gjatë vitit 2008 do të organizohet edhe një seminar trajnues për ekspertët kombëtarë për dixhitalizimin, arkivimin dhe menaxhimin e arkivave dixhitale të trashëgimisë shpirtërore”. Në kuadrin e këtij projekti do të organizohet një kurs intensiv trajnimi me punonjësit e kulturës dhe specialistët e trashëgimisë shpirtërore për dixhitalizimin dhe menaxhimin e arkivave, duke përfshirë ato dixhitale. Në vijim, në vitin 2009, do të vazhdohet me “Krijimin e një regjistri, bazës elektronike të të dhënave si dhe një katalogu të printuar të debutuesve të shquar të iso-polifonisë shqiptare”. Ky aktivitet përfshin inventarizimin dhe dokumentimin e debutuesve të aftë të iso-polifonisë (individë dhe grupe), përvoja dhe kontributi i të cilëve janë të një rëndësie të madhe për ruajtjen, mbrojtjen dhe popullarizimin e mëtejshëm të iso-polifonisë. Në përfundim të projektit do të përpilohen dhe publikohet edhe gazeta “ISO-Polifonia”, në pesë numra, duke përfshirë edhe nga një CD me muzikë iso-polifonike. Gazeta do të nxitë ndërgjegjësimin në lidhje me instrumentet e tashme ligjore (të brendshme dhe ndërkombëtare), si dhe masat e tjera në lidhje me mbrojtjen e iso-polifonisë. Projekti do të realizohet në bashkëpunim të ngushtë me organet e pushtetit vendor, qendrat kulturore të fëmijëve, drejtoritë arsimore si dhe me institucionet kombëtare të trashëgimisë kulturore shpirtërore. Materialet e projektit do të jenë online në webin zyrtar të iso-polifonisë.

31 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›