Çuditë e kujtimeve për Lasgushin
Granit ZELA
1.
Memuaret për Lasgush Poradecin janë moda më e fundit, që ka kapur ethshëm mjaft nga ata, që i kanë shkëmbyer ca fjalë me poetin sa qe gjallë. Kështu, duket se po i lajnë duart një herë e mirë me famën që të japin kujtimet për një poet të shquar. Po të shohim e memuaret për Lasgushin, në shumicën thuhet se Lasgushi e vlerëson së tepërmi shoqërinë e shkronjësve, humanizmin e tyre, por mbi të gjitha vlerën e veprës së tyre, e cila thënë shkoqur prej Poetit qëndron më lartë se e tija.
Disa libra të tillë ngjajnë si imitime librash kalorësiakë, ku poeti është Don Kishoti dhe shkronjësi Sanço Panço që e ndjek me këmbëngulje dhe besnikëri të pashoqe në udhëtimin e tij nëpër katet e Kullës. Ekzagjerimi që bëjnë këta shkruestarë, arrin në irracionalitetin e vet deri aty, sa edhe të nisin luftën kundër sho-shoqit, të formojnë aleanca e të shkruajnë artikuj kundër njëri-tjetrit, duke i hedhur poshtë si të pabesueshme ato që sivëllai Sanço ka shkruar dh duke mbështetur “kujtimet” e një sivëllai tjetër. Ja një fragment nga një betejë e tillë:
“Me një mllef që i buronte nga thelbi i zemrës e hodhi librin dhe tha: -Gënjen gënjeshtarja! Lasgushi me mua rrinte më shumë, me mua i qante hallet dhe ma hapte zemrën si të më kishte djalin e tij.”
Kështu shkruhet në një artikull polemik për një libër kujtimesh tjetër për Lasgushin, duke cituar zhgënjimin e një fqinji të Lasgushit për këtë libër. Po në këtë artikull, vijohet me argumentat që verifikojnë gënjeshtrat. Gjatë gjithë librit në fjalë, ka faqe të tëra ku, duke folur për jetën e Lasgushit, argumentohet se cilin ka pasur mik të vërtetë Lasgushi e cilin nuk ka patur, ku hyn ndonjë shkrues rival i cili ka thënë të njëjtën gjë në librin e vet.
E kështu, sipas këtyre librave, del se Lagushi i tyre ka qenë gjatë gjithë kohës i rrethuar nga miq e shokë, madje edhe miq komunistë, të cilët megjithëse në libër e shprehin hapur se kanë qenë të bindur dhe besnikë të regjimit, në të njëjtën kohë kanë qenë edhe miq për kokë të Lasgushit dhe besnikë të Poetit.
2.
Vazhdojmë me xhevahirët e polemikave të shkruestarëve për Lasgushin:
“Po u rikthehem edhe një herë deklaratave të tuaja se i “paske mbajtur gjallë me ushqimet që i paske çuar. Vetë menyja që ju tregoni, nuk ndodhej as në kampin e pushimit të qytetit, apo mos e kini fjalën se këtë meny ia paski plotësuar juve? Ju deklaroni se i paski dhënë poetit mish viçi, bërxolla derri, mish dashi, peshk, salçiçe, kopanka zhabe si dhe gatime brumërash si petanik me fasule, qullnik, petulla, kek, pilaf me gjalpë, madje edhe pjeshkë, mollë e dardha etj.
Ju kundërshtoj i bindur se gënjeni… Ai kaurdisej me dhjamin e vet, siç thotë populli. E kishte tmerr qylin. Donte të ishte gjithnjë i barabartë me të tjerët. -Po s’më erdhe të ma pish kafenë , as unë nuk ta pi, thoshte jo rrallë herë. Efigjeni, Frosa, Eftelija e shumë gjitona e të afërm të poetit të bindin për krenarinë e tij. Eftelija, kushërira e tij, tregon: “I thashë njëherë Llazarit, jemi tanët more Llazar, ulu njëherë në sofër dhe ma provo kafshoren e bukës.” Ai m’u përgjigj:-“Që jemi gjak moj Efteli e di edhe bufi, po nuk mbahet shpirti me kulaçka prej kishe. Faleminderit, tjetër herë.”
Lexuesi mund të mendojë se krahasimi i këtyre shkruestarëve me Sanço Pançon mund të duket i tepërt, por pavarësisht se mund të duket e pabesueshme, në një nga memuaret e fundit për Lasgushin faqe të tëra e përshkruajnë poetin që u turret buteve të verës në qilaret e atij autori, i cili, megjithëse shef i Partisë për Kulturën, ia ofron ato me një bujari të pashoqe, madje nën dritën e qiriut, sikur të ishin në një nga romanet kalorësiake që përshkruan Servantesi. Ja edhe një fragment tjetër nga “kryeveprat”e serisë ‘Memuare për Lasgushin”:
“I afrova me të shpejtë gotën dhe i thashë ta mbushte me dorën e tij e të pinte sa t’i donte qejfi. Por ai më kërkoi kalenicën, atje dua ta shtije “Gjakun e Krishtit” - tha. Si e pashë që po rrinte në këmbë, i thashë nëse donte t’i sillja një stol që të ulej. Por ai ngriti qiririn lart që të më shikonte mirë dhe më tha: -Mato, e ke parë veprën madhështore të Shekspirit “Gratë gazmore të Uinzdorit”? Si e pinin verën terakinjtë? Të ulur mbi bute. Ashtu duam ta pimë ne me kushëririn tënd Todin. Aman, i ulni butet poshtë! I ulem poshtë, i pastruam nga pluhuri dhe Llazari hypi i pari. -A më lejohet të lëshoj verë në dorën time?
-Zoti Llazar, buti është tëndi, e ke lejen me pashë të bësh çfarë të duash, - i thashë unë. I ngashëryer më shqiptoi me një ton mirënjohës: “Mato, më fute në borxh! Më lejo t’i lutem Perëndisë para butit: O Zot! Dëbo çdo shpirt të keq e të ndyrë që Demoni ka fshehur në themelet e kësaj shtëpie, dhe dërgoi engjëjt të blatojnë vetëm gëzim dhe lumturi në këtë shtëpi!”
E pas kësaj vijonë rrëfimet aventureske me kulaç, dyqane mishi, nderet që kërkon poeti të miku i tij kur është në ngushticë ekonomike, vramendjet e mikut për t’ia lehtësuar vuajtjet poetit në mënyrë kaq të detajuar e shprehëse sa, më së mbrami, ne kemi një portret psikologjik, fizik, shpirtëror, botkuptimin, dilemat, vuajtjet për të shfaqur altruizëm e shumë virtyte të tjera të... autorit të “kujtimeve”!
3.
Meqenëse është bërë kaq e lehtë të fantazosh për Lasgushin, më duhet që të lajmoj lexonjësin e memuareve se, pas një tundimi fort të madh për t’u marrë me memuaristikë, edhe unë vendosa të shkruaj një libër të këtillë. Për të qenë brenda modës së kohës, kujtimet do të jenë bash për Lasgushin.
Do të pyes këndonjësi se pse për Lasgushin, si kanë qenë takimet me të, kam qenë unë një i njohur i afërt i tij apo thjesht e kam parë ndonjëherë rrugëve të Pogradecit, ç’më ka çuar në Pogradec në atë kohë, mos kam qenë persekutor i tij dhe si i paskam pasur unë lidhjet me regjimin e kohës etj, etj?
Pyetje të këtilla do ta vramendin lexonjësin tonë por, në një të këtillë rasë, nuk është e nevojshmë asfare të bëhen, sikur nuk ka qenë gjithmonë kur janë bërë botime të kësisojta. Megjithatë, për të qenë i sinqertë me këndonjësin e kënduar, duhet me thënë se Lasgushin as e kam takuar ndonjëherë, as e kam parë në Pogradec apo në Tiranë, ndërsa lidhjet e mia me regjimin e kohës thuajse nuk ekzistojnë fare, se kur ishte gjallë Lasgushi unë kam qenë nxënës në tetëvjeçare duke lexuar “Vdekjen e Nositit”.
Mirëpo fakti se nuk e kam takuar asnjëherë, nuk do të thotë se nuk mund të shkruajmë një libër kujtimesh për të, pasi megjithëse të konkurosh me fantazinë e këtyre librave, prapëseprapë them se imagjinata do të më ndih bukur mirë, sikurse na mësojnë këto soj memuaresh.
Pra, jam duke shkruar një skenë ku unë i jap Lasgushit të më lexojë një poezi timen dhe ai, pasi e lexon me endje, i tronditur dhe pak si i përlotur, më thotë: “Mirë e paske qëndisur! Kjo poezi është një perlë e rrallë. Pas leximit të kësaj poezie, kam droje të shkruaj më....” Dhe sigurisht, poeti do të psherëtijë me keqardhje.
Pasi të përshkruaj tronditjen dhe sidomos përlotjen e tij të beftë, besoj se do t’i servir lexuesit, krejtësisht sikurse në memuaret për Lasgushin, edhe “kujtime” të tjera, ku unë lë kokën për të, nuk më zë gjumi ngase mendoj se ku e zë dita e ku e zë nata, si e ka Cucin, a ndjehet i vetmuar etj., dhe në të gjitha “bisedat” tona unë dal një mbështetës i pikpamjeve të tij antikonformiste.....
Por në krahasim me ç’do të shkruaj brenda, më shumë më shqetëson kopertina e librit dhe blloku i fotografive në fund të tij, ku do të vë një foto të montuar në kompjuter dhe në sfond do të jetë liqeni i Pogradecit, pak anash do të jetë i vendosur me anë të teknikave dixhitale Mali i Thatë. Kjo për të respektuar përpikërisht “kujtimet”, që janë shkruar dhe po shkruhen në këtë moment për Lasgushin.
4.
Në njërën nga faqet e kujtimeve të mia, do të thuhet, epo le ta pranojmë, në memuaret që po shkruhen për të është vërtet Lasgushi që pi verë, por janë autorët që dehen. E kur dehet, njeriu e ngatërron menynë duke servirur pamje dreka e darkash, pastaj duke vazhduar me epitetet më të vrazhda për autoren e një ditari për Lasgushin, duke e akuzuar se ajo ka gënjyer për të marrë famë për veten e saj. Mirëpo kjo s’mund të lejohet, sepse fama, sikurse tokat, duhet të ndahet me të gjithë komshinjtë apo të afërm të tjerë, pasi nuk është e drejtë që...
E kështu, reagimet, protestat për poetin, vjedhje çelësash për të marrë shënime të tij, histori që i tejkalojnë rrëfimet aventureske të Servantesit, marrin kah fundi i njërit prej këtyre librave karakter tërësisht policor, ku bashkëqytetarë të ndryshëm “dëshmojnë” për historitë e Lasgushit, duke hedhur poshtë një version historie dhe duke dhënë versione të kundërta. Në këtë libër marrim vesh se, në një të përditshme, paska qenë realizuar edhe një serial, ku ditë pas dite pasqyroheshin “dëshmi”, thashetheme, opinione për karakterin e Lasgushit.
Meqë “dëshmitë” bombastike dhe sensacionale nuk mundëm t’i lexojmë për shkak të renditjes allasoj të fjalëve në jerm, si një shembull të “majës” që ka arritur kjo memuaristikë, për lexuesin po sjellim një poezi, që e paska shkruar poeti për një mik. Shijiojeni!
Të madhit Thomaq
O ti që të kam thënë shok
Që zemrën e shpirtin i kemi tok
Thomaq, o zemër e kulluar
Artist i lartë e i adhuruar
Kur të kujtoj Thomaq që larg
Më rrjedhin ndjenjat varg e varg
Rrethojnë plot me përmallim
Thomaqin tim, Thomaqin tim
Për t’u mos u zgjatur më tej me çuditë e memuareve për Lasgushin (të cilat vetëm për Lasgushin nuk janë, janë për autorët e tyre), dhe menynë e çoroditur që ato të afrojnë, mund të themi pa e tepruar se, sipas modeleve që po na jepen nga “kujtimet”, sot kushdo mund të shkruaj një memuar për të, thjesht me pak këmbëngulje dhe fantazi prej shkruestari mediokër. Kështu, memuaristika shqipe do të arrij në zenitin e vet me kujtimet për këtë poet të varrosur për së gjalli, por, kemi drojën se po të ngjitet shumë lart, mund t’i merren mendtë e të thyej qafën në rrokullimën e shkrimeve bajate, që shpenzojnë
31 Mars 2008