E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhgënjen Partizani, por 24 orë në krye



Dash Frashëri

Partizani përkohësisht (për 24 orë) në vend të parë me 49 pikë, (Dinamo 48), por me një hap të madh fals pikërisht në “Qemal Stafa”, duke barazuar pa gola me Kastriotin modest, në një ndeshje të konsideruar të fituar në letër.
Të kuqtë e Likës (në barazimin e tyre të 10-të sezonal) bënë një paraqitje të varfër, aq sa krutanët (ende pa president) u shfaqën si protagonistët e vërtetë të takimit. Erion Rizvanolli, ish-lojtari i Partizanit disa sezone më parë, mund ta kishte ndëshkuar Shehin.
“E kërkuam fitoren, madje edhe duke rrezikuar me mënyrën se si interpretuam lojën. Sot ishim të kushtëzuar nga disa dëmtime”, - tha trajneri i Patizanit, Hasan Lika, pas takimit. “Mendoj se grupi i futbollistëve që kishim në dispozicion ishte i aftë, të paktën para ndeshjes për të bërë më të mirën në fushë, gjë që nuk e realizoi”, - shtoi Lika, pa e fshehur aspak nervozizmin.
“Demat” e kuq ngacmuan disa herë me Muzakën (363’, topi përfundoi mbi traversë) dhe me Abilaliaj (72’, topi u devijua nga Mustafa në goditje këndi). Shumë pak për të kënaqur ata pak tifozë të zhgënjyer plotësisht në impiantin më të madh në Shqipëri.
Formacioni i Ramazan Ndreut mori një pikë të çmuar në transfertë (e 5-ta në 13 javë) duke lënë përkohësisht në zonën “Kategoria e Parë” Teutën, që nga ana a saj do të luajë të dielën në kryeqytet kundër Dinamos. “Po kalojmë momente të vështira dhe na duhet ta kalojmë këtë krizë”, - u shpreh trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu. “Gjatë gjithë pjesës së mbetur të zonës do të jemi në tension të plotë. Gjithsesi jam i kënaqur me moralin e futbollistëve. Arritëm të marrim diçka, edhe pse kërkuam edhe tri pikët. Them me këtë prezantim që kemi bërë do të arrijmë që mbetemi në Superligë”.
Ky ishte dhe barazimi i 4-t në 15 takime historike midis dy ekipeve (10 fitore Partizani, 1 fitore Kastrioti). Në dy takimet e para të këtij sezoni, Partizani kishte fituar 0-1 (fazën e parë) dhe 2-1 (fazën e dytë).
Në javën e 26-të, Partizani ( i eliminuar edhe nga Kupa e Shqipërsë) do të përballet me Flamurtarin në Vlorë, ndërsa Kastrioti do të presë në “shtëpinë e marrë me qira” një tjetër protagonist për titull, Dinamon.

Besa shkatërron Shkumbinin, “dopio” Xhihani

3-0. Besa shkatërron Shkumbinin. Parid Xhihani ishte ndëshkuesi i madh i sfidës. Ish-sulmuesi i Dinamos shënoi dy gola të shpejtë në minutat 8 dhe 21, duke i dhënë qetësinë e duhur formacionit të Sulejman Starovës. Peqinasit e Gugash Maganit (e ndoqi takimin nga tribuna) u shfaqën shumë të plogësht dhe jo shumë të motivuar (vetëm një goditje shtylle nga ana e Ilir Qorrit). Për ta firmosur fitoren e 11-të sezonale të Besës mendoi Enkelejd Alikaj, i cili shënoi një eurogol në minutën e 92-të duke mbyllur takimin në mënyrën më të mirë.

Deda i jep leksion Kovës

“Deda” i jep leksion “Kovës’, malaziasi i Vllaznisë, Dervish Haxhiosmanoviç mposht kroatin e Flamurtarit, Slavko Kovaçiç, me rezultatin e pastër 2-0, por personazhi i madh i takimit në “Loro Boriçi” ishte Vioresin Sinani.
Me dy golat e tij, nga një në çdo pjesë loje (30’ e 65’), “këpuca e artë” e sezonit të kaluar u ngjit edhe në krye të golashënueseve të Superligës, tashmë në kuotën e 17 golave, 2 më shumë se kroati i Dinamos, Pero Pejiç (15 gola).
Dy herë golashënuesi më i mirë i Shqipërisë (2003-2004, 2006-2007) shënoi një gol të rrallë (të dytin) në portën e Moçkës së ri për t’i dhuruar fitoren e 8-të shtëpiake dhe të 11-n në 25 javë.
Vllaznia u ngjit në vendin e tretë me 41 pikë, po aq sa Besa e Sulejman Starovës, që mposhti nga ana e saj Shkumbinin me rezultatin e pastër 3-0. Edhe në takimin e fundit kundër Flamurtarit, Vllaznia kishte fituar po 2-0, por kësaj radhe kënaqësia shkodrane ishte më e madhe pasi u arrit ndaj ish-ndihmësit të trajnerit të Kombëtares shqiptare.
Kjo ishte dhe fitorja e 63-të e Vllaznisë në 134 përballje historike me Flamurtarin (40 fitore, nuk fiton nga viti 2002). Në javën e 26-të Vllaznia do të luajë në Peqin kundër Shkumbinit, ndërsa Flamurtari pret në shtëpi Partizanin.

Besëlidhja bën detyrën, Skënderbeu “gjithashtu”

Besëlidhja me fitoren e tretë sezonale po në aq ndeshje me Skënderbeun (0-2) i dha grushtin e fundit skuadrës korçare, tashmë pa asnjë shpresë mbijetese në Kategorinë Superiore. Fakt që edhe trajneri Renato Rrapo e pranoi. “Tani Skënderbeu luan vetëm për të bërë detyrën”, - tha trajneri i “Ujqërve të dëborës” pas humbjes së 20-të në 25 javë kampionat (e 8-ta në shtëpi).
Besëlidhja, e supermotivuar pas fitores 1-0 me Dinamon, shënoi e para nga pika e bardhë me anë të ish-sulmuesit të Skënderbeut, Marius Ngjela (8’), pas penalltisë së akorduar nga gjyqtari Albano Janku për ndërhyrje të parregullt ndaj Ivanajt. Për Ngjelën, ky ishte goli i tij i parë kundër ish-skuadrës së tij dhe i 12-ti sezonal. Goli i dytë mban firmën e brazilianit Da Silva në minutën e 92-të për të vulosur shifrat 0-2 dhe fitoren e 4-t të Besëlidhjes në transfertë (më e bujshmja mbetet ajo me Tiranën në kryeqytet).
Interesant është një fakt se lezhjanët i kanë fituar të tre takimet me Skënderbeun gjatë këtij sezoni me një diferencë dy golash: 4-2 në fazën e parë në Lezhë (drejtoi Kulli), 0-2 në fazën e dytë në Korçë (trajner Bajko) dhe sërish 0-2 në fazën e tretë (në bankinë Gjyla).
Kjo ishte fitorja e 12-të e Besëlidhjes në 30 takime kundër Skënderbeut (11 fitore). Në javën e 26-të, Besëlidhja do të luajë ndeshjen e sezonit, pasi do të përballet në Durrës me Teutën. Skënderbeu pritet të bëjë dhuratën e radhës ndaj Tiranës në “Selman Stërmasi”.

Kategoria Superiore
Java 25

Të premten
Tirana-Elbasani 2-1
Xhafaj 70’, Hyka 75’/ Bejzade 7’
Dje
Partizani-Kastrioti 0-0
Vllaznia-Flamurtari 2-0
Sinani 30’, 65’
Besa-Shkumbini 3-0
Xhihani 8’, 21’, Alikaj 92’
Skënderbeu-Besëlidhja 0-2
Ngjela 8’ (p), Da Silva 92’
Të dielën
Dinamo-Teuta
Jemini, Salaj, Guçe
* Ndeshja fillon në orën 15:30

RENDITJA
1.Partizani 49
2.Dinamo* 48
3.Vllaznia 41
4.Besa 41
5.Tirana 40
6.Elbasani 39
7.Shkumbini 34
8.Flamurtari 32
9. Kastrioti 24
10.Besëlidhja 26
11.Teuta* 23
12.Skënderbeu 11
* Një ndeshje më pak

Java 26
Kastrioti-Dinamo
Flamurtari-Partizani
Shkumbini-Vllaznia
Elbasani-Besa
Tirana-Skënderbeu
Teuta-Besëlidhja

Tension në Fier, Apolonia fiton Lushnjën

Tension i jashtëzakonshëm gjatë dhe pas ndeshjes Apolonia-Lushnja (1-0), supersfida e nxehtë e javës së 24-t të Kategorisë së Parë, por që pati edhe një gol të anuluar të Lushnjës nga ana e anësorit Pjetrushi. Stafi teknik me në krye trajnerin Bano dhe të gjithë lojtarët lushnjarë “mbuluan” dhunshëm anësorin, por gjyqtari i takimit (Aranit Lulaj) u mjaftua duke nxjerrë vetëm një karton të verdhë. Situata degjeneroi dhe pjesa e mbetur e ndeshjes u zhvillua në një nervozizëm total dhe duke marrë përmasa të frikshme. Golin e vetëm të takimit e shënoi sulmuesi brazilian Xhunior Uashington duke i siguruar një tripikësh të artë Apolonisë, tashmë në vendin e dytë me 51 pikë (Lushnja, e treta me 50 pikë). Loja pati shumë grintë, por niveli ishte mesatar, kjo dhe për shkak të mbingarkesës psikologjike nga dy kampet e lojtarëve. Në Gjirokastër, Luftëtari me barazimin 1-1 ndali Bylisin kryesues, i cili nuk u drejtua në këtë në takim nga Faruk Sejdini. Gjithsesi, skuadra ballshiote ruan ende kryesimin me 52 pikë.
KATEGORIA E PARË
JAVA 24
ADA-TURBINA 2-0
APOLONIA-LUSHNJA 1-0
ERZENI-TOMORI 0-0
BURRELI-LACI 1-0
GRAMSHI- BILISHT SPORT 2-1
LUFTËTARI-BYLIS 1-1
NAFTËTARI-DAJTI 2-1
SKRAPARI- TEPELENA 3-0
SOPOTI- POGRADECI 1-0

Bogdani kundër së kaluarës Siena

BOGDANI- Livorno do të luajë të dieën kundër Sienës, por Erion Bogdani, lojtari shqiptar që ka luajtur me të dyja fanellat, dhe “Er-Bomber” do ta nisë takimin nga minuta e parë. Lajmin e bën të ditur vetë trajneri Kamoleze për faqen italiane calciotoscano.it. TRESHJA- Karlsruhe e Kapllanit arriti një barazim pa gola me Shalke 04. Të dielën do të luhen dy takimet e tjera të skuadrave ku aktivizohen lojtarët shqiptarë. Energi e Skelës do të luajë kundër Hertës së Berlinit, ndërsa Hanoveri i Altin Lalës do të presë kampionët në fuqi të Gjermanisë, Shtutgardin.
DRAGUSHA- Ish-lojtari i Kombëtares shqiptare, Mehem Dragusha, realizoi golin e barazimit 1-1 në takimin SV Elversberg-Kasel, të vlefshme për Ligën Rajonale të Jugut në Gjermani. Zepeks shënoi një autogol në minutën e 41-të duke u dhënë miqve avantazhin e përkohshëm, ndërsa në të 52’ Mehmet Dragusha realizoi me 11-metërsh.

31 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›