Nis provimi i pare i matures shteterore, testet grumbullohen ne Tirane
Në mbrëmje publikohen përgjigjet e sakta të testit
Rreth 45 mijë maturantë në të gjithë vendin përfunduan sot, rreth orës 12:00 provimin e parë të Maturës Shtetërore, Letërsisë, ku u testuan krahas njohurive për letërsinë, dhe për gjuhën shqipe në masën 33 perqind. Testet e plotësuara nën masa sigurie do të shpërndahen për t'u korrigjuar në 4 qendra vlerësimi në Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Fier nga rreth 155 korrigjues të provimeve. Sot pasdite pritet që MASH të publikojë përgjigjet e kërkesave (pyetjeve) të testit të gjuhë-letërsisë. Sipas rregullores së Maturës Shtetërore rezultatet e provimit të letërisë do të publikohen pas dy javesh. Nga raportimet e vazhdueshme për shtabin e ngritur në MASH, gjatë këtyre 24 orëve të shpërndarjes dhe kryerjes së provimit, në 37 Drejtori Arsimore Rajonale dhe Zyra Arsimore gjithçka eci normalisht. Të 45 mijë maturantët u vendosën në mjediset e përzgjedhura nga Drejtoritë Arsimore Rajonale, ku rreth 2.000 administratorë të provimit (AP) u përfshinë në proces për mbarëvajtje korrekte të zhvillimit të provimit. Administratorët jo vetëm nuk ishin mësues të shkollës ku administruan, por u shkëmbyhen midis rretheve të ndryshme. Shpërndarja e testeve të provimit të parë të detyrueshëm të Gjuhë-Letërsisë nga Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve (AVA) në drejtim të Drejtorive Arsimore Rajonale (DAR) nisi mbrëmë rreth orës 22.00, sipas një grafiku të caktuar, duke nisur nga zonat më të thella, Tropoja, për të përfunduar me Tiranën, në orën 06.00 të ditës së sotme.
Maturantet te kenaqur nga testi i Gjuhe-Letersise
Maturantë në qytetin e Tiranës që i'u nënshtruan të hënën provimit të detyrueshëm të Maturës Shtetërore për lëndën e gjuhë-letërsisë, pohuan se në ndryshim nga programi i ngarkuar mësimor në shkollën e mesme, testimi përmbante pyetje të qarta dhe të thjeshtuara. Të pyetur për ecurinë e zhvillimit të provimit të Maturës Shtetërore, maturantët u shprehën se koha prej 150 minutash në dispozicion për provimin, ishte e mjaftueshme për t'iu përgjigjur 25 pyetjeve të testit të parë të detyruar. "Në ambientet ku u organizua ky provim, përveç personave të autorizuar, si maturantët dhe administratorët, nuk u lejua të hyjë asnjë individ tjetër, duke respektuar një nga elementët në dobi të korrektësisë së procesit në përputhje me rregulloren e Maturës Shtetërore 2008", tha Elida, nxënëse në shkollën e mesme "Petro Nini Luarasi" në Tiranë, njëra nga 6 mijë maturantët e kryeqytetit. "Pyetjet ishin mjaft të lehta. Mesa kuptova aty ishin përfshirë pyetje të tre niveleve të vështirësisë, çka na ndihmoi", vlerësoi nga ana e tij maturanti, Emel, duke shpresuar që edhe testi i ardhshëm i matematikës të ishte i lehtë.
...