Shehu: Sfuda te reja ne shendetesine shqiptare ne periudhen qe do te vije
Vitet e ardhshëm do të jenë periudhë sfidash të reja në shëndetësinë shqiptare, tha kryetari i Komisionit Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, Tritan Shehu. I pranishëm në Konferencën Mbarëkombëtare për Shëndetin Publik, sot në Hotel "Tirana International", Shehu tha se "tani që ndërtuam një bazë në këta 4 vjet, e ardhmja është më e lehtë, më e mundshme dhe niveli i cilësisë së pritshme të shërbimit shëndetësor do të rritet dukshëm dhe në mënyrë të pajtueshme me nivelet, standardet, që kemi si objektiva për të ardhmen e vendit tonë në tërësi". Ai vuri në dukje se "niveli i shëndeti publik mat dhe lidhet me standardet më të gjera se vetëm të shërbimit shëndetësor dhe mjekësor të një shteti". Sipas tij, kjo lidhet me nivelin e përgjithshëm kulturor të popullsisë, sistemin arsimor, me problemet ambjentale, etj. Duke vënë në dukje se niveli i shendetit publik lidhet me sektorët kryesorë të jetës së një vendi, Shehu theksoi se "kjo ndërthurje kërkon zhvillim frontal, në mënyrë që rezultatet konkrete në shëndetin publik, në mbrojtjen e jetës së njerëzve, në jetëgjatësinë e popullsisë, uljen e sëmundshmërisë, të jenë reale, të prekshme dhe të krahasueshme me ato që ne kërkojmë të jenë: me standardet e vendeve të Bashkimit Europian". Por, sipas tij, ndërthurja kërkohet edhe brenda vetë sistemit shëndetësor, që nga kujdesi parësor, deri tek ai terciar, me obligimin e strukturave publike dhe private për të punuar së bashku në bazë të koncepteve esenciale për përmirësimin e jetës së popullisë, etj. Ndër arritjet dhe ndryshimet thelbësore në vitet e fundit, sipas Shehut, janë ndryshimet e dukshme organizative në sistemin shëndetësor shqiptar në 4 vjet, duke filluar nga kujdesi parësor, vënia në efiçencë e këtij sistemi, futja e skemës së sigurimeve shëndetësore, ndryshimet legjislative dhe ligjore, etj. Shehu përmendi si arritje të rëndësishme dyfishimin e pagave për mjekët dhe infermierët, që indirekt apo direkt, sipas tij, përmirësojnë përfshihjen e punonjësve të sistemit shëndetësor në rritjen e cilësisë së shërbimit me elementët, që lidhen direkt me nivelin e shëndetit të popullsisë. "Ka mjaft gjëra për t'u bërë, kemi shumë për të bërë, sepse problemet kanë qenë të mëdha dhe si të tilla, dhe prioritete për të ardhmen janë të mëdha", theksoi ai.
...