E Diel, 1 Nëntor 2026

Shendeti Publik: Semundjet kronike, vrasesi me i madh i shqiptareve

Arritjet dhe sfidat e shëndetit publik diskutohen në Konferencën Mbarëkombëtare të Shëndetit Publik

Sëmundjet kronike në Shqipëri janë vrasësi më i madh i shqiptarëve dhe ndërsa sëmundjet infektive janë duke u pakësuar, mbeten faktorë rrisku të rëndësishëm të indentifikuar, duhanpirja, obeziteti, konsumi i alkoolit, menaxhimi i stresit, dhuna, etj. Këto të dhëna u bënë të ditura në Konferencën Mbarëkombëtare 2-ditore mbi shëndetin publik, mbajtur në Hotel Tirana International."Shqipëria ka njohur arritje të dukshme vitet e fundit, megjithatë vendi përjeton në të njëjtën kohë probleme, me të cilat përballet shëndeti publik klasik, ato të lidhura me tranzicionin demografik dhe përparimin e shoqërisë së konsumit", tha ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Sipas saj, "të parat kanë të bëjnë me kushtet e  shëndetshme apo jo të vendbanimeve, sigurinë e ushqimit, apo të ujit, si dhe me shkaqet infektive, toksike dhe traumatike të vdekjeve, të cilat mbizotërojnë në një popullsi me moshë të re dhe që shpesh janë të lidhura me standarde të ulëta jetese". 

Por, nëse këto probleme janë duke u pakësuar, vërehet shtim i problemeve që lidhen me jetëgjatësinë e rritur, me rëndësinë në rritje të sëmundjeve kronike dhe me dëmtimin e mjedisit si pasojë e zhvillimit intensive, theksoi më tej ministrja e Shëndetësisë. Duke u ndalur në arritjet e shëndetësisë shqiptare gjatë 4 viteve të fundit, ajo përmendi modernizimin e sistemit dhe legjislacionit, mbulesën vaksinale, promocionin e shëndetit, kontrollin e ujit të pijshëm dhe ajrit, etj. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli vuri theksin tek bashkëpunimi ndërinstitucional për zgjidhjen e problemeve. "Nëse Shqipëria ka faktorë rrisku, sëmundshmëri dhe vdekshmëri të ngjashme me vende të tjera të Europë Lindore, problemet ende janë të pazgjidhura për sa kohë që ne nuk punojmë së bashku", tha ai. Duke u ndalur tek puna e deritanishme dhe arritjet e shëndetit publik shqiptar, ai tha se "janë bërë shumë ligje, janë marrë shumë vendime që hedhin bazat për të përballuar në të ardhmen e afërt". Sipas tij, pavarësisht nga sfidat, ka shumë vend për të inkurajuar punonjësit e shëndetit publik, sepse një sërë aktivitetesh të kryera janë kurorëzuar me sukses, si bruceloza, çështje të sëmundjeve tek fëmijët, vdekshmëria foshnjore, ajo amtare, ndërsa janë duke u ndërtuar disa programe për sëmundjet kardiovaskulare, etj. 

Në konferencën 2-ditore, ku janë të pranishëm edhe 35 specialistë të shëndetit publik të Kosovës, po demonstrohen arritjet e shëndetit publik në Shqipëri si dhe sfidat që e kërcënojnë atë. Duke përshëndetur konferencën, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani tha se, duhet të synojmë hartimin e projekjeve të përbashkëta kombëtare për të gjithë shqiptarët e Ballkanit. Ai vuri në dukje bashkëpunim dypalësh me ISHP-në, duke synuar thellimin e mëtejshëm. Organizatorët e konferencës falenderuan me këtë rast edhe partnerët ndërkombëtarë, si OBSH, UNFPA, UNICEF, USAID, etj, të cilët kanë dhënë ndihmesë të madhe kontribuar në shëndetësi. 


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›