E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas turpit socialist në parlament, PD propozon rezolutë për mbështetjen e reformave që do çojnë në heqjen e vizave

Në të njëjtën ditë, ministri Basha dhe europarlamentarja Tanja Fajon kërkojnë mbështetjen e Shqipërisë në këtë aspiratë


Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike pritet të dorëzojë në Kuvend një propozim, për miratimin e një rezolute, për liberalizimin e vizave me vendet e BE. Një ditë pas politikës së mbrapshtë të njeriut të Edvin Ramës, ish ministrit të diktaturës, Gramoz Ruçi, ndaj dokumenteve biometrike, standardit më të lartë për të përfituar lëvizjen e lirë në hapësirën “Schengen”, kreu i grupit parlamentar Astrit Patozi, deklaroi sot, se Partia Demokratike ka vendosur t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë miratimin e një rezolute që të mbështesë procesin e liberalizimit të vizave.


Deklarata e plotë e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi: "Dëshiroj t’ju informoj ju, dhe përmes jush publikun, se grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë miratimin e një rezolute që të mbështesë procesin e liberalizimit të vizave. Duke e konsideruar atë si një aspiratë jetike në interesin e drejtpërdrejtë të çdo qytetari shqiptar, ne vlerësojmë hapat e deritanishme të ndërmarra nga qeveria dhe të gjitha institucionet e tjera shtetëore, në funksion të këtij qëllimi madhor. Rezoluta ka për qëllim të inkurajojë ekzekutivin dhe cdo agjenci tjetër të lidhur drejpërdrejt apo në mënyrë indirekte me procesin, duke ftuar njëkohësisht çdo aktor politik dhe shtetëror që të përfshihet me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë e veta në përmbushjen sa më të shpejtë të tij. Për grupin parlamentar të Partisë Demokratike, liberalizimi i vizave nuk është thjesht një premtim i yni elektoral, por një objektiv i madh kombëtar, ndaj edhe ai ka nevojë për kontributin e gjithësecilit. Duke pasur parasysh peshën e madhe që ka Kuvendi në hierarkinë institucionale të Republikës sonë, si dhe nisur nga fakti që koha është një element shumë i rëndësishëm për këtë proces, kjo rezolutë do të paraqitet për miratim në seancën më të afërt, pra të enjten e ardhshme.


Në konferencën për kufijtë, Basha lexon deklaratën për vizat/ Në fund të konferencës së ministrave të Brendshëm të Ballkanit Perendimor u nenshkrua nje deklarate e perbashket drejtuar Komisionit Europian per pershpejtim te liberalizimit te vizave. Ne deklaraten e nenshkruar prej ministrave te pranishem ne konferencen e organizuar ne Tirane, kerkohet liberalizim i vizave per Shqiperine dhe Bosnjen. Deklarata u lexua nga ministri organizator i evenimentit, Lulzim Basha.


Fajon: Të mos pengohet heqja e vizave për Shqipërinë/ Eurodeputetja sllovene Tanja Fajon, ka reaguar sot në lidhje me atë që është cilësuar si eksod i qytetarëve nga vendet e Ballkanit Perendimor që kanë përfituar nga liberalizmi i vizave, drejt BE-së. Në një deklaratë zyrtare, Fajon, shprehet se qeveritë e Serbisë dhe Maqedonisë duhet të sqarojnë qytetarët e tyre në lidhje me atë që quhet liberalizmin vizash. Ndërsa ka shtuar se procesi i heqjes së vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën nuk duhet të pengohet. “Lajmet e fundit për rritjen e numrit të strehimkërkuesve nga Serbia dhe Maqedonia në Belgjikë dhe Gjermani kanë krijuar dilema dhe drojë nëse liberalizimi i vizave ishte një vendim i drejtë. Kërkoj nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin përgjegjësinë jo vetëm për të përmbushur kriteret, por dhe t’i dërgojnë njerëzve një mesazh të qartë rreth asaj se çfarë do të thotë realisht liberalizimi i vizave. Politikanët duhet të ndalojnë menjëherë fluksin e migrantëve të rinjë që kërkojnë strehim në vendet e BE-së”, ka deklaruar Fajon. Deklarata e europarlamentares sllovene, Tanja Fajon, vjen në kohën kur ka pasur rritje të numrit të kërkesave për strehim politik në vendet e BE-së nga banorët e Serbisë dhe Maqedonisë. Nga dhjetori i kaluar banorëve të këtyre vendeve iu hoqën vizat për vendet e zonës Shengen. Ajo çfarë ka ndodhur me strehimkërkuesit nga Maqedonia e Serbia “në asnjë mënyrë nuk duhet të dëmtojë liberalizimin e vizave këtë vit për Shqipërinë dhe Bosnjën”, përfundon deklarata e europarlamentares sllovene.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›