E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një femër për presidente

Pra, kanë kujtuar Ballkanin dhe kanë dashur të kënaqin ndjeshmërinë jugore. Kanë peshuar latinët dhe anglo-saksonët, kanë menduar për të majtën dhe të djathtën, për ata që kanë mbetur të ngujuar në komunikacion.

Janë meshkujt që kanë ngrënë bukë me Angela Merkelin kundrejt atyre të cilët kanë preferuar të hanë kifle me Nicolas Sarkozynë. Të gjithë janë përmendur si kandidatë, madje edhe nëse e kanë humbur shpresën, për tu zgjedhur në njërin prej dy funksioneve të reja të BE-së gjatë takimit që do të zhvillohet sonte në mbrëmje.

Suedezët, të cilët janë përgjegjës për këtë proces, duket se ndiejnë një vetëkënaqësi. Por, prisni. Oh jo, ata kanë harruar diçka. Si qëndron puna me ndonjë femër?

Na nevojitet një femër në listë për shkak të baraspeshës, ne jemi BE-ja dhe gjysma e votuesve tanë janë femra, krenohemi me ligjet tona për barazi gjinore. Në Europën Lindore duhet të ketë femra të bukura. Si qëndron puna me biondinën Yulia Tymoschenko, ajo është ngritur kundër rusëve. A është ajo e lirë? Oh, është Ukraina. Shteti i gabuar, harrojeni.

Si qëndron puna me lituanezen Vaira Vike Freiberga, Zonjën e çeliktë nga veriu. Si duket ajo? Ka 71 vjet, por kjo nuk ka rëndësi, përderisa të ketë pamjen e femrës. A është ajo e majtë apo e djathtë? Nuk ka rëndësi. Ka një emër më atraktiv se Herman Van Rompuy dhe për një kohë ka qenë edhe presidente e Letonisë.

Kjo do të heshtë dy komisioneret femra të Europës, të cilat janë ankuar për shkak të mungesës së kandidateve femra dhe të cilat kanë theksuar se gjinia është më e rëndësishme se kombësia.

Ndaluni, ju lutem. Kjo është saktësisht ajo që i ndodhi Sarah Palinit. Republikanët kuptuan se kanë nevojë për një femër dhe Palin u nxor në skenë. Problemi doli në sipërfaqe, kur ata kuptuan se ajo ka një të kaluar, ka një agjendë dhe ambicie personale. Ishte paraparë që ajo të ishte një kukull e jo politikane. Prandaj u gëzuan kur ajo u largua.

E njëjta që i ka ndodhur edhe Liz Trussit. Konservatorët në Norfolk ishin të mendimit se ishte një gjë progresive dhe moderne që të kandidohet një femër dhe ishin të tmerruar kur kuptuan se ajo nuk ishte vetëm një femër e thjeshtë, por një njeri që ka një sfond dhe që ka pasur një aferë (kjo do të përjashtonte nga gara shumë kandidatë meshkuj).
Ata duhet të jenë të vetëdijshëm: ajo mund të ketë qëndrime të saj, të cilat atyre ndoshta nuk do tu pëlqejnë.

Shumë deputetë laburistë, të cilët zgjodhën Harriet Harmanin për nënkryetare të partisë, u tmerruan për shkak të angazhimit të saj për barazi gjinore. Në të vërtetë, numri i tyre ishte aq i madh sa që në momentin kur ajo javën e kaluar u emërua si parlamentarja më e mirë e vitit, bëri shaka se nuk ka dëshirë të jetë kryeministre, ngase nëse do të zgjidhej në këtë funksion, nuk do të kishte aeroplanë të mjaftueshëm për largimin e të gjithë meshkujve nga vendi. Ajo e di se kur politikanët meshkuj ankohen për mungesën e femrave në politikë, ata kërkojnë gjininë dhe pamjet e tyre, por jo edhe qëndrimet e tyre.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›