Nis punimet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka hapur sesionin e 67-të vjetor, ndërsa presidenti i ri Vuk Jeremiç ka thënë se Kombet e Bashkuara nuk mund t`i zgjidhin të gjitha problemet e botës brenda natës.
Megjithatë, ish ministri i jashtëm i Serbisë ka shprehur bindjen se organizata mbetet e rëndësishme në “adresimin e nevojave në rritje të njerëzimit”. Ai tha se do të kërkojë mjete paqësore për të zgjidhur kontestet ndërkombëtare.
Ish shefi i diplomacisë serbe është përpjekur, por pa sukses, në pengimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e cila tashmë njihet si shtet nga rreth 90 vende, por jo edhe nga OKB-ja.
Asambleja e Përgjithshme prej 193 anëtarësh, javën e ardhshme do të përgatitet për debatin e përgjithshëm që fillon më 25 shtator, ku do të ketë fjalime nga presidentë dhe kryeministra shtetesh të ndryshme.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun i kërkoi Asamblesë, e cila vepron si një legjislativ për organizatën botërore, që të punojë për të ruajtur sundimin e ligjit, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.