E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis punimet sesioni i ri parlamentar

Pasi vlerësoi si pozitiv bilancin e sesionit parlamentar të vitit 2011, kryeparlamentarja tha se kalendari i punës për sesionin e ri parlamentar parashikon miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, ndaj kërkoi bashkëpunimin e opozitës.

Por, që në seancën e parë nuk kanë munguar debatet, akuzat dhe kundra akuzat mes dy grupeve kryesore parlamentare.

Kryetari i Grupit Kuvendor të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi deklaroi se 100-vjetori i pavarësisë e gjen vendin me demokraci të rrezikuar dhe në krizë ekonomike.

“Ky 100-vjetor e gjen shtetin shqiptar pa shtet në shërbim të qytetarëve. E gjen vendin në krizë, ku rritja ekonomike ka ndalur, ku korrupsioni dhe kapja e shtetit janë evidente. E gjen me një papunësi në rritje, me një varfëri të shtuar dhe mbi të gjitha me një të ardhshme të rrezikuar. 100- vjetori e gjen shtetin shqiptar në udhëkryqin: diktaturë bjelloruse apo rrugë drejt Evropës”, deklaroi Ruçi.

Ai tha se Partia Socialiste është e angazhuar për të mos lejuar dështimin e radhës për Shqipërinë, duke humbur sërish statusin kandidat. “Për këtë arsye opozita do të punojë intensivisht për miratimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave”, tha Ruçi.

Në lidhje me zgjedhjen e Presidentit ë ri të vendit, Ruçi theksoi nevojën që kreu i ri i shtetit të përfaqësojë unitetitn e popullit.

“PS lufton për një president i cili të ketë profile të arrira që të jetë mbi palët, të jetë me integritet dhe rekorde të qenësishme që dëshmojnë respekt të vazhdueshëm për Kushtetutën, shtetin ligjor e parlamentarizmin, me moral të lartë si qytetar e politikan”, tha Ruçi.

I menjëhershëm qe reagimi i kryetari të grupit parlamentar të maxhoranës, Astrit Patozi, i cili theksoi se debati i hapur për zgjedhjen e Presidentit është i parakohshëm, duke qenë se praktikisht është e pamundur që vendi të shkojë në krizë politike për këtë çështje.

“Ky është seksioni i zgjedhjes se presidentit, ndaj e shohim të parakohëshëm debatin që ka nisur, pasi fryma e Kushtetutës nuk e lejon, fryma e saj është të mos e lërë vendin në krizë.  Bamir Topi është zgjedhur pas dy raundesh. Debati është hapur nga opozita dhe presidenti në detyrë”, u shpreh Patozi.

Patozi i bëri thirrje opozitës të mbajë përgjegjësitë e veta sa i takon çështjes së integrimit dhe të mos rikthehet tek simptomat e dikurshme të bllokimit./Start/

                                                                                             2012-01-16 18:04
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›