Nis qarkullimi në tunelin e Kalimashit. Olldashi: Kostoja e kësaj vepre, e papërfillshme me përfitimet që i sjell ekonomisë

Nga mëngjesi i sotëm ka rifilluar qarkullimi i automjeteve në autostradën Durrës-Kukës-Morinë në segmentin e tunelit të Thirrës, i cili pas muajsh të tërë punimesh, është rihapur, për t’u vënë në shërbim të lëvizjeve ndërmjet dy anëve të kufirit. Gjatë një ceremonie të posaçme me këtë rast, ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, vlerësoi se hapja në kohë e tunelit ishte mjaft e domosdoshme, për shkak të hapjes së sezonit turistik, çka bën shumë fishim të lëvizjeve nga Kosova për në Shqipëri dhe anasjelltas. Ai tha se turistët nga Kosova, do kenë mundësi të mbërrijnë në pak orë në bregdetin shqiptar. Ministri Olldashi vuri në dukje se në tunel tashmë kanë përfunduar të gjitha punimet e rehabilitimit dhe rregullimet përkatëse e se tani, nuk ka më rrezik prandaj ai mund të jetë lehtësisht i kalueshëm si më parë. Olldashi informoi se punimet pas shembjes që u shkaktua në këtë tunel kanë kushtuar 30 milion euro, por shtoi ai, kostoja e ndërtimit të kësaj vepre, është e pa përfillshme për funksionet që ka dhe fitimet që i sjell ekonomisë së vendit. Gjithashtu, minsitri i Punëve Publike, deklaroi se në muajin shtator do të realizohet edhe hapja e tunelit verior duke e sjellë rrugën zyrtarisht në parametrat optimale.
...