BE, 2 javë kohë politikës shqiptare për t’i dhënë fund ngërçit. Berisha: Kam kënaqësi të takoj kundërshtarët politik, do vazhdojmë dialogun

Ashton dhe Fule apel politikës: Mos ndërprisni rrugën e integrimit të Shqipërisë
Nisi mbrëmjen e djeshme në Strasburg takimi i parë i kryeministrit Sali Berisha me kreun e opozitës, të ndërmjetësuar nga pala ndërkombëtare, për gjetjen e një rrugë-zgjidhje, për ngërçin politik në Shqipëri. Pas 4 orësh bisedime në restorantin “Crocodile”, në Strasburg, në orët e para të mëngjesit të sotëm të dy liderët kanë lënë darkën, duke mos arritur një konsensus paraprak. Në takim kanë qenë të pranishëm Presidenti i PPE-ve, Jozef Daul, ai i PSE-së Martin Shulz dhe komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fule
STRASBURG- Takimi ndërmjet kryeministrit Sali Berisha dhe kreu të PS, në prani të përfaqësueve më të lartë të Brukselit, ka përfunduar mbrëmë vonë, duke mos arritur një marrëveshje paraprake. Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule u shpreh pas takimit 4 orësh, se po bëhet një punë e mirë, por nevojitet ende kohë, për konkretizimin e rrugë zgjidhjes. “Darka shkoi shumë mirë, por negociatat do vazhdojnë. Ishte një diskutim i hapur, dhe mendoj se ne po ecim përpara”, u shpreh Fyle për mediat pak pas takimit. Nga të dhënat e para mësohet se është lënë që një tjetër takim të zhvillohet pas dy ose tre javësh. Gjatë një prononcimi për mediat, pas përfundimit të takimit, kryeministri Berisha u shpreh se dialogu do të vazhdojë. “Ishte një takim i frytshëm. çdo takim me miqtë tanë ndërkombëtarë është pozitiv. Për mua është gjithnjë një kënaqësi të takoj edhe kundërshtarët politikë. Eshtë lënë një periudhë reflektimi për të dyja palët për të diskutuar opsionet e zgjidhjes së krizës”- u shpreh kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha.
Ashton dhe Fule apel politikës: Mos ndërprisni rrugën e integrimit të Shqipërisë
“Të respektohet kushtetuta dhe ligjet në fuqi”
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian Catherine Ashton dhe Komisioneri për zgjerimin Stefan Fule kanë shprehur mbrëmjen e djeshme se mbështesin iniciativën e kreut të Partive Popullore Europiane Joseph Daul dhe atij të Partive Socialiste Europiane Martin Schulz, për të ulur të dyja palët shqiptare në bisedime për zgjidhjen e krizës politike në vend. Ashton dhe Fule, inkurajojnë palët politike për zgjidhje të situatës në koherencë me kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Në deklaratën e përbashkët ndër të tjerash thuhet se “Shqipëria ndodhet në një moment shumë të rëndësishëm në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Gjithashtu, një sërë arritjesh të tjera kërkojnë kurajo politike. Bashkimi Evropian është seriozisht i shqetësuar për ngërçin e vazhdueshëm politik. Jemi të shqetësuar për mosfunksionimin e parlamentit dhe efektet pasuese nëpër institucionet e tjera. është koha më e mirë për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale politike mbi baza që do ti rezistojnë kohës. Prosperiteti i Shqipërisë nuk duhet të ndikohet nga vazhdimi i status quo-së”- thuhet në deklaratën e përbashkët për shtyp të Ashton dhe Fule.
Përfaqësuesja e lartë e BE dhe komisioneri i bashkohen thirrjes nga ana e grupeve politike të Parlamentit Europian për kreun e qeverisë dhe kreut të opozitës për të marrë përgjegjësinë për gjetjen e zgjidhjeje që do të çojë përpara në mënyrë të qëndrueshme dhe të shpejtë në përputhje me aspiratat e qytetarëve e Shqipërisë, Kushtetutës dhe parimin e transparencës”.
Më tej, në deklaratën e tyre thuhet se kapërcimi i ngërçit dhe tejkalimi i situatës duhet të vijë në sajë të respektimit të kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.
Meta bisedë telefonike me homologun e tij britanik, Hauge: Me rëndësi vazhdimi i dialogut politik në vend/ Gjatë një bisede telefonike, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta e uroi Sekretarin Britanik të Shtetit për çështjet e Jashtme, z. ëilliam Hague, për detyrën e re duke shprehur besimin tek angazhimi i mëtejshëm i Qeverisë britanike si dhe tek kontributi i tij personal për Ballkanin Perëndimor. Në këtë kontekst, z. Meta i vlerësoi marrëdhëniet Tiranë - Londër si shumë të rëndësishme. Z. Hague nga ana e tij, shprehu kënaqësinë për të punuar me z. Meta dhe e siguroi atë për mbështetjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar në integrimin evropian të Shqipërisë. Në këtë kuadër, ai vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon duke theksuar se Ballkani Perëndimor do të jetë një prioritet i rëndësishëm në politikën e jashtme britanike dhe se Konferenca e Sarajevës do të jetë një moment inkurajimi për rajonin. Meta dhe Hague biseduan edhe mbi situatën politike në Shqipëri. Në këtë kontekst, ata ndanë dëshirën për përmirësimin e klimës së brendshme politike duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimësisë së dialogut politik në vend.
...