E Shtunë, 31 Tetor 2026

I vodhi çantën një vajze në autobus, arrestohet



I vodhi çantën një qytetareje në autobus, arrestohet nga policia 26-vjeçari. Efektivat e Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan 26-vjeçarin Adriatik Mine, lindur dhe banues në Berat, i dënuar më parë për vjedhje. Arrestimi i tij u krye pasi dyshohet se në autobusin e linjës së Unazës, te restorant “Durrësi” në Tiranë i ka vjedhur çantën një shtetaseje. Pas denoncimit të vajzës policia u vu menjëherë në lëvizje duke bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Materialet në ngarkim të 26-vjeçarit i kaluan prokurorisë për veprën penale të “vjedhjes”.

Zjarri djeg 10 hektarë kullotë në Lunxhëri

Rreth 10 hektarë kullotë, por edhe bimësi dhe faunë, janë dëmtuar si pasojë e një zjarri që u shfaq dy ditë më parë pranë kalasë së Shëndriadhës në komunën e Lunxhërisë, rreth 7 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës. Shefi i Shërbimit Zjarrfikës të Gjirokastrës, Lefter Qiriqi, tha dje për mediat se “vatra e zjarrit u shfaq rreth orës 22:30 të së mërkurës dhe u normalizua dje në orët e para të mëngjesit”. Sipas tij, për shuarjen e vatrës së zjarrit u angazhuan 20 forca zjarrfikëse, që punuan me 3 autobote. Qiriqi tha se zjarri rrezikoi dhe një zonë të pyllëzuar, që shpëtoi pa u përfshirë nga flakët falë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse. Mësohet se një grup hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit në komunën e Lunxhërisë. Disa ditë më parë, në afërsi të qytetit të Këlcyrës, në qarkun e Gjirokastrës, u dogj një dynym zonë e pyllëzuar, ndërsa u ndalua dhe një i dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme. Gjatë 3-mujorit të fundit, në qarkun e Gjirokastrës janë identifikuar 11 raste zjarresh, 5 prej të cilave në pyje e kullota, ndërsa të tjerat janë shfaqur në objektet e ndryshme në Jug të vendit.

28 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›