E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër lidhëza dhe një zgjidhje

(Vëllezër, duajeni njëri-tjetrin se më pas nuk do t’ju dojë askush) – Shenjte Nënë Tereza

1. Nëse

Një thënie e urtë e Konfucit thotë: “Të mirën shpërbleje me mirësi dhe të ligën me drejtësi”. Kisha kohë që po e përsërisja me vete këtë thënie, pas një vere shumë të nxehtë dhe tejet të stërzgjatur. Fillimi, parafushata, pastaj fu…sha…ta dhe më pas (post scripttum), thënë ndryshe, pasfushata…
Në kalvarin e mundimeve të stërzgjatura të kësaj vere shumë të vapshme dhe disi vrastare, stresi arriti nivelin e tij më të madh, aq sa u thye në “kolaps kombëtar”. Më në fund dhe rezultatet mbërritën, si gjithnjë me vonesë. Tabloja e kësaj gare më sjell në kujtesë filmin “Vrasësit e kuajve”, ku në qendër është gara vrastare e çifteve, të cilat vallëzonin derisa u binte të fikët, ku në këmbë mbetej ai që mund të rezistonte deri në pikën e fundit.
Dhe mozaiku pas fushate solli numra të tillë: PD 70 mandate (brenda PDI, PR); PS 66 mandate (brenda saj PBDNJ) dhe LSI 4 mandate. Deri në momentin kur vijnë rezultatet ke të drejtë të hamendësosh, por më pas shifrat diktojnë rregullat e lojës; shifrat përcaktojnë fituesit sipas vendeve: E para PD-ja me koalicionin e saj; e dyta, PS-ja me të vetët dhe e treta LSI-ja. Më në fund fusha politike pastrohet. Nëse pastrohet, apo vetëpastrohet, apo i kishte ardhur momenti dhe çasti historik që të pastrohet, këtë më mirë se kushdo tjetër e dinë ata që hartuan Kodin Zgjedhor dhe këtë sistem të paparë pikëzimi që solli këtë rezultat. Vetë e bënë. As dëgjuan grevistët deputetë që u ngujuan në sallën e Kuvendit në shenjë kundërshtimi. Por ata e bënë vetë Kodin dhe, tani, me dhimbje, duhet të pranojnë rezultatin, sado i papëlqyeshëm qoftë për ta: “Po hyre në një garë me rregulla, je i detyruar të pranosh dhe të luash. Pesë parti parlamentare, dy të mëdha, dhe tri të vogla; dy të detyruara të jenë pjesë e koalicionit të deklaruar parazgjedhor dhe e treta e vetme, e lirë të bëjë koalicion paszgjedhor me kë të dojë. Thënë ndryshe, në gjuhën popullore, LSI është gjuha e kandarit, ose siç e paralajmëruan edhe të huajt, “kingmaker”-i pas 28 qershorit.
Një ditë ndalova para garazhit. Derën ma hap, si gjithnjë, xha Shefqeti, të cilin ne me shaka e quajmë deputeti i zonës. Është burrë sojli dhe shumë i sjellshëm. I pëlqen shumë të llafosë për politikën. E cilit shqiptar nuk i pëlqen të llafosë për të?! Të gjithë bëjnë sikur merren me politikë, që t’u ikin problemeve të tyre dhe jetës së njëtrajtshme që bëjnë. “Hë, moj çupë, - më thotë ai, - ç’do të bëni ju të LSI-së? Do të formoni qeveri, apo do na e djallosni këtë punë…?”. “Po ti, more xha Shefqet, - i them unë, - sikur nuk je dakord që të bashkëqeverisim me të djathtët!”. Xha Shefqeti më qesh, më sheh me vërejtje dhe më pas kruan fytin dhe më thotë: “Çupë, politika është si puna e garës; do kuaj të fortë që të mos lodhen dhe të ecin përpara. Ti e di, - e nget llafin ai, - që para tri javësh nusja ime u sëmur nga zemra, duhej të operohej. U mërzita pafund. Ku të mbytem unë i ziu pa të, në këtë moshë!? Pyes doktorin dhe i them se ç’më ka zemra e nuses. Ajo koronarja e djathtë nuk i funksionon mirë; e majta; po, po nuk mbahet vetëm me njërën, duhet të dyja, ndaj duhet të ndërhymë. Dhe kështu u bë. Tani zemra i punon mirë. Ndaj, bijë, edhe qeveria të ecë mirë duhet t’i punojnë të dyja koronaret; edhe e majta edhe e djathta. Përderisa populli ju votoi, ai nuk do që ju të rrini në stol rezervë, po duhet të luani. Hajde, çupa ime thuaj atij kryetarit tuaj të behët pjesë e qeverisë dhe të na e zhdukni këtë varfërinë që na mbyti; jo vetëm të gojës, po dhe të shpirtit”. Këto tha xha Shefqeti, burri që ka marrë pjesë në luftë, ka ndërtuar socializmin dhe tani jeton në shoqërinë modern ku konkurrenca është e pa fre dhe ku fjala tradhti dhe tradhtarë shfaqet sa herë që nuk dalin llogarit…. Nëse do të ishte Konfuci gjallë ai do të thoshte: “Mos i bëj tjetrit atë që nuk do të donin të ta bënin ty”.

2. Sepse

Ky shkrim kishte kohë që qëndronte në sirtar pasi mbaroi gara elektorale dhe aktorët dhe spektatorët ranë rehat sepse ishin tejlodhur nga loja fushateske: Bashkë me ta edhe unë si pjesë e garës së pabarabartë që në kryen e herës, nga amoku që i kapi të gjithë edhe ata që garonin në fushatë dhe ata që votonin këtë fushatë. Fushatë e paparë; me para shumë për Shqipërinë e varfër; me mitingje maratonë për popullatën e tejlodhur dhe të shfrenuar; me sharje të pafundme, aq sa jam e bindur që profesori dhe miku im, Edmond Tupja, do të jetë duke bërë gati fjalorin e parë të llojit sematiko-social-seksual, të titulluar Fjalori Teoriko-Luftarak i Fushatës. Ndoshta edhe ndonjë deputet i ri, i sapozgjedhur i fushës së sociolonguistikës në Parlamentin e ri shqiptar mund të mbrojë titullin “Profesor” me hulumtimet e fjalëve dhe fjalimeve të fushatës, të cilat, për nga intensiteti, janë të papara në garën elektorale dhe në fondin e artë të leksikut të shqipes zhargonfolëse. Nëse fjalët do të ishin vënë në garë, fjalët mashtrues, tradhtarë, korrupsion, etj., pa dashur të përdor ato fjalë me pullë të kuqe, do të ishin në vendin e nderit. Por, në ditët e pasfushatës çmimin e parë e mori fjala “TRADHTI”, pasi LSI na paskësh “tradhtuar kauzën”, kauzat, ëndrrat dhe është shprehur shumë e nxituar; tepër e nxituar. Madje, shumë e papjekur në nxitimin e saj që ka pranuar që të bëjë koalicion paszgjedhor me Doktorin, se ky Meta tradhtari na paska tradhtuar elektoratin e tij, pasi, sipas komenteve dhe prononcimeve te tyre, del që Meta në fjalët e tij na paska thënë: “Njerëz, popull, vëllezër dhe motra; më jepni votën që unë të rri në opozitë dhe të bëj opozitë konstruktive, dhe t’ia dërmoj brinjët Berishës”, etj., etj. Qesharake…. Qesharake për vetë faktin që LSI ishte e vetmja forcë politike që garoi në garë elektorale dhe jo në luftën e pabarabartë elektorale me një program elektoral, që në gjuhën e popullit do të thotë të kesh prioritete të qarta për të synuar objektiva të qarta, zhdukjen e varfërisë, rritjen e punësimit, përmirësimin dhe zhvillimin e bujqësisë, fuqizimin e ekonomisë, rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës, nxitjen dhe rritjen e zhvillimin e turizmit dhe zhvillimin e shërbimeve për popullatën dhe nxitjen e zhvillimin e politikave arsimore. Pasi ishte e vetmja LSI-ja që bëri fushatën më qytetare, që nuk bëri pis askënd, nuk përdori asnjë fjalë fyese për garuesit e tjerë, po u mor me të ardhmen, duke e lënë pas betejën e qëndresë kundër aprovimit të Kodit famëkeq Elektoral, me metodat më demokratike, deri në ekstremin e saj, që ishte greva e urisë në mjediset e Parlamentit shqiptar, e cila u paragjykua dhe u përçmua nga disa liderë politike. Ishte e vetmja forcë që ndjeu peshën e garës elektorale deri në zhdukjen e saj dhe që mbijetoi denjësisht. Në politikë është e pranishme edhe njëfarë loje për të cilën thuhet se ekzistojnë edhe disa rregulla. Dhe kur kjo lojë nominohet me votën e popullit, ky, populli, nuk të pret që të rrish në bankinë, po do të luash për të, të luash fort dhe të mos kursesh, pasi ai të kupton, ai të vlerëson, ai të ndjen dhe ai përsëri të voton, kur e kupton që ti pranon të luash fortë dhe me kosto politike në të mirë të tij dhe të stabilitetit të vendit. Askush nuk të fal që ti te mos flasësh atëherë kur duhet dhe të mos heshtë atëherë kur duhet, pasi një proverb që vjen nga lashtësia thotë: ”Nuk mund të flasë mirë ai që nuk di të heshtë mirë”.

3. Megjithatë

Përsëri derën e garazhit sot ma hapi Xha Shefqeti. Është prapë i mërzitur. Dje ka dëgjuar në lajme prononcimin e pesë kolegëve të LSI-së; njerëz të spikatur dhe me kontribute e vlera në sferën politike, shkencore të vendit, të cilët, rishtazi riciklojnë thirrjen e tyre për mospjesëmarrjen e LSI-së në qeverisjen me bazë të gjerë.
- Moj çupë, - më thotë xha Shefqeti, - prapë në luftë do na çoni?
- Pse? - I them unë në mënyrë habitore.
- Si pse? - Më thotë ai. - A nuk i dëgjove dje ata djemtë në konferencë shtypi. Ata thanë se apelojnë publikisht se kjo nuk ka qenë ëndrra e tyre, të cilët para pesë vjetësh e quajtën LSI, pra që të bashkohen me Berishën. Nuk e di, moj çupë, po ne nuk jemi armiq, por shqiptarë. Pse gjithnjë, sa herë bëhen gjëra të mira, duhet patjetër t’i lëmë në mes? Mos e ka fajin ai i gjati? Po ju i dollët borxhit atij, çfarë nuk i thatë që të vinit bashkë. Nuk më pëlqen hiç kjo punë, moj vajzë. Eh, si u bë kjo punë e politikës, si lojëra kalamanësh. Një herë e një kohë kishte burra. Më kujtoheshin kur mblidheshin në kuvend….
E kuptoj shqetësimin e Xha Shefqetit dhe të gjithë atyre që ndjekin me vëmendje në këto ditë të nxehta vape afrikane lajmet e fundit të konferencave të shtypit. Kuptoj edhe shqetësimin e kolegëve të mi, po kuptoj dhe sakrificat e të gjithë atyre që janë rreshtuar në radhët e politikës dhe më mirë se këdo kuptoj ata idealist tragjike, kaq të nevojshëm për këtë vend, që kur dëgjojnë prononcime të tilla shqetësohen.
Jetojmë në shoqëri demokratike, ku pluralizëm i vërtetë do të thotë të pranosh edhe mendimin ndryshe që ka ai tjetri, i kujtdo qoftë, pa e paragjykuar dhe më pas të veprosh.
Megjithatë, jo gjithnjë funksionojnë deklaratat mediatike. Sipas traditës dhe zakoneve shqiptare, punët e mira zgjidhen brenda institucionit të shtëpisë tënde, në rastit konkret, të partisë tënde dhe nëse nuk dëgjohesh, pasi paraqet realisht argumente dhe jo thjesht retorika që “gojët e liga” më pas t’i përdorin si instrumente klientelizuese apo nostalgjike, duke moderuar edhe gjuhen, nga terminologji luftë, në alternativë mendimi, atëherë çdo sugjerim do të ishte i barabartë me thënien e sociologut dhe filozofit Xhon Lokut, i cili do të thoshte: “Do të parapëlqeja të mirën e popullit dhe të shtetit, hartimin e ligjeve dhe kushtetutave të mira përballë çdo interesi personal. Do të mendoja gjithmonë se begatia dhe e mira e Shteti janë pasuria dhe lumturia ime më e madhe në bot딅. E megjithatë edhe mendimi ndryshe apo sugjerimet e sinqerta, pranohen kur janë në kohën e duhur, në vendin e duhur…. Nëse janë të sinqerta, e konstruktive, jodestruktive dhe shkopinj nën rrota….

4. Tani

“Në një vend të lirë nuk ka shumë rëndësi nëse individë të veçantë arsyetojnë mirë ose keq; mjaftojnë që ata të arsyetojnë…. Prej këtij lloj diskutimi rrjedh liria”, - do të thoshte Monteskje për konceptin e tij mbi shtetin e së drejtës. E kuptoj shqetësimin e Xha Shefqetit, kuptoj edhe shqetësimin e miqve të mi, por duke dalë përtej këtyre shqetësimeve, kuptoj një gjë më të madhe se kaq; kuptoj një fakt të pamohueshëm se tanimë harta politike po ndryshon edhe në Shqipëri. Gjithsesi, këto debate, diskutime, si në kampin e majtë, ashtu edhe në atë të djathtin thonë një gjë të madhe: Tanimë, jemi më shumë drejt pluralizmin dhe jo drejt pseudo-pluralizmin, kemi mundësi të shfaqim formate perëndimore në politikën tonë të brendshme, duke hedhur në tregun politik një monedhë të re bashkëpunimi, atë të bashkëveprimit dhe koordinimit të veprimeve dhe politikave kur bëhet fjalë për çështjen madhore, siç është atdheu, stabiliteti ekonomik dhe ndërtimi i urave të bashkëpunimit drejt integrimit të shoqërisë dhe modeleve të politikave europiane. Shpesh flasim për strategji të integrimit të shpejtë në BE dhe kur vjen rasti për të përpunuar një kulturë dhe filozofi të re për të bërë integrimin mes vetes, mbështetur mbi kodet, parimet dhe të moralin, që t’i hapim më pas rrugën integrimit dinjitoz dhe të sigurt në Evropë, ne trembemi, frikohemi dhe anatemohemi. Tani është koha për të vepruar. Tani janë pjekur kushtet. Tani secili duhet të kryejë funksionin e tij para historisë së përditshme dhe përhershme, në mënyrë që më pas historia të mos na ndëshkojë. “Është e pamundur të ndërtosh një shoqëri ku janë shuar përfundimisht antagonizmat, ndaj në një terren të tillë e drejta duhet të marrë funksionin e një rregullatori të raporteve humane”, - do të shprehej Prudoni në veprën e tij dhe unë mendoj se tani është koha të veprojmë, duke lejuar këdo që të shprehë versionin e tij, por, pa ngarkesë emocionale.
Xha Shefqeti nuk do të jetë i qetë derisa të ndërtohet qeveria. Tani e ka fjalën presidenti të mandatojë kryetarin e PD-së për krijimin e qeverisë me bazë të gjerë. Të tjerat…, më mirë le t’ia lëmë kohës.
Por popullin duhet ta qetësojmë, pasi popujt e trazuar lindin njerëz të trazuar… të paktën njëherë të flasim jashtë interesave të vogla apo pseudoparimeve dhe në emër të njerëzve….

28 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›