E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohet nga lundra, zhduket shoferi

 

SARANDE/ SHPRESA DINE

Një kamion i ngar-kuar me tulla ka përfunduar në ujërat e Kanalit të Butrintit së bashku me shoferin, në minutat e para të ditës së enjte. Pas një operacioni 12-orësh është bërë e mundur nxjerrja e mjetit, ndërsa dështuan dje kërkimet për viktimën Flamur Hasani, banor i Ksamilit. Një tjetër tragjedi, pas asaj të tetorit të vitit të kaluar ku humbën jetën pesë vetë, përsëritet në brigjet e kanalit të Butrintit. Vetëm pak minuta pas mesnatës së të enjtes, një kamion i ngarkuar me tulla është ngjitur mbi platformën e lundrës, që lidh dy brigjet e kanalit të Butrintit. Sipas burimeve policore në drejtimin e automjetit tip kamion ishte 42-vjeçari Flamur Hasani, banor i Ksamilit, i cili ka humbur kontrollin mbi drejtimin e kamionit. Duke qenë hipur në lundër, ai ka prerë timonin shumë majtas, çka ka bërë që uji të mbushë një nga kazanët e platformës lundruese të lundrës. Për pasojë kamioni, së bashku me shoferin përfundoi në ujërat e kanalit të Butrintit, në vendin ku thellësia është të paktën 4 metra. Dritan Korro, një prej administruesve të lundrës, tha se, Flamur Hasani, që ishte drejtuesi i mjetit, si edhe shumë herë të tjera ka qenë në gjendje të dehur në timon. Shumë i stresuar ai ka këmbëngulur të kalojë në anën tjetër, edhe pse punëtori, Zylyftar Kuqo, që shërbente në bregun e Butrintit nuk e ka lejuar. Por ai vazhdonte në të tijën. Prej mesnatës së mbrëmshme janë njoftuar forcat e Policisë Kufitare të Sarandës për ngjarjen. Ato kanë shoqëruar dhe marrë në pyetje Zylyftar Kuqon, punëtorin e turnit të shërbimit të lundrës, i cili ka thënë se "debatova me shoferin e kamionit për të mos u ngjitur në lundër, pasi e pashë që e ngiste kamionin me shpejtësi dhe në gjendje të dehur". Sipas Kuqos, viktima nuk e ka mbajtur vesh dhe i ka dhënë gaz kamionit duke e shtyrë edhe vetë Zylyftarin përpara. Për rrjedhojë i ka shkaktuar atij plagë në trup. Kuqo mësohet se është transportuar për në spital, ku edhe ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin e Sarandës. Gjatë gjithë natës janë organizuar shërbime për gjetjen e vendndodhjes së saktë të automjetit, por ajo është bërë e mundur vetëm në orët e para të mëngjesit të së enjtes, kur janë zhytur polumbarët. Pas disa orësh kërkimi, ata kanë përcaktuar se ku gjendej makina, e cila shihej e përmbysur në ujë. Por nuk jepej asnjë e dhënë për shoferin Flamur Hasani. Shpresat se ai të mund të gjendej nën skeletin e kamionit në ujë u shuan, pas operacionit për më shumë se 5 orë për nxjerrjen e makinës nga uji me ndihmë të një vinçi dhe nën mbikëqyrjen e ekspertëve kriminalë e forcave të Policisë së Rendit e të Kufirit në Sarandë. Kërkimet për viktimën kanë vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes. Mendohet se rrymat ujore, baticat dhe zbaticat, të pranishme gjithmonë në kanalin e Butrintit, mund ta kenë lëvizur dhe shtyrë trupin e viktimës nga vendi ku ai ra me gjithë mjetin e vet. Gjatë ditës së djeshme, lundra nuk ka funksionuar fare, për shkak të ngjarjes dhe dëmit të pësuar prej saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›